Pëllumb Xhufi: Janullatos, si kryqtar i shekullit XII. I janë nënshtruar të gjitha qeveritë shqiptare
Historiani Pëllumb Xhufi, duke folur për ngjarjet e Përmetit, është shprehur se prapa tyre qendron Janullatosi, të cilin e krahason me një kryqtar të shekullit XII. Xhufi thotë se ai është vendosur me dhunë si kryepeshkop në vitin 1992 dhe që atëherë, të gjitha qeveritë shqiptare i janë nënshtruar.
’Gjysma e botës do të ishte në flakë po të ishte prekur një objekt i shenjtë mysliman, kështu thotë Hirësia e tij, i cili mundohet ti japë ngjyrat e një konflikti botëror një sherri të stisur qëllimisht nga ai vetë, këtu e 10 vjet më parë.
Kjo është gjuha e një kryqtari të shek. XII. Vetëm në atë shekull mund të gjesh priftërinj e murgj që u prinin ushtrive pushtuese, që digjnin e piqnin popuj e qytetërime të lashta për të themeluar mbretëri e principata të krishtera. Vetëm në shek. XIII mund të gjesh shembuj kishash e priftërinjsh fanatikë, që vrisnin e digjnin në stivat e zjarrit të ndryshmit, heretikët, pavlikanët, manikeistët, bogomilët, ikonoklastët Hirësia e tij po përcjell pikërisht këtë frymë intolerance e konfrontimi fetar mes shqiptarëve.
Atij dhe misionit të tij politik i janë nënshtruar të gjitha qeveritë e korruptuara shqiptare të pas 1990. Sidomos kjo e Sali Berishës. Pak mungoi që ky, pasi e zhveshi grykën e Këlcyrës nga çdo prani ekonomike, kulturore, ushtarake e policore shqiptare, të inauguronte në prani të Hirësisë së tij dhe të Konsullit grek të Gjirokastrës, një pllakë mermeri me shkrimin: O udhëtar, këtu hyhet në Vorio-Epir! Kjo pllakë do mund të vihej në hyrje të grykës së Këlcyrës, buzë fshatit Kodër, në vendin ku edhe sot një lapidar i harruar kujton masakrën e vitit 1914, kur andartët grekë, të prirë nga ndonjë prift e ndonjë besimtar ortodoks shqiptar, nga ta që i pamë në aksion edhe këto ditë në Përmet, masakruan plot 240 fshatarë të pafajshëm shqiptarë, shprehet historiani në një intervistë për Mapo.
Sot, për shkak të paaftësisë dhe korrupsionit të politikanëve shqiptarë, ne kemi në kreun e KOASH-it një klerik grek. Z. Janullatos e pushtoi padrejtësisht atë post nën presionin e fortë që qeveria greke e Micotaqisit bëri mbi qeverinë e Sali Berishës, në 1992. Ja pra, edhe një kujtim tjetër i hidhur, që na zhvendos në fillimin e shek. XX, kur krerët e Kishës tonë ortodokse nuk i caktonin besimtarët shqiptarë, por Kryeministri grek, Eleuther Venizellos, vijon Xhufi./b.l