Patozi: PD meriton godinën më madhështore, por forca jonë nuk janë godinat
Nënkryetari i dorëhequr i PD-së, Astrit Patozi, që pas akuzave për zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të kësaj partie me anë të një gare të manipuluar, është rishfaqur me një shkrim për godinën e SHQUP. Sipas tij, PD meriton godinën më madhështore, për vlerat që ka.
Nëse gjithçka në këtë vend do të ishte në proporcion me dinjitetin dhe meritën për të vlerësuar një institucion, Partia Demokratike duhet të gëzonte prej kohësh godinën më të bukur dhe më madhështore që ky shtet do të kishte në dispozicion. Sepse Partia Demokratike është jo vetëm aset kombëtar, por mbi të gjitha është krenari kombëtare. Por le të mos zgjatemi shumë me këtë argument, sepse do të paragjykoheshim si në konflikt interesi, ndonëse te historia e Partisë Demokratike e gjen dhe duhet ta gjejë veten çdo shqiptar, shprehet Patozi në një shkrim për Panoramën.
Sipas tij, forca e PD-së nuk qendron tek godinat, por tek vlerat.
Ajo që të gjithë duhet të dinë pas këtij debati, është se forca e Partisë Demokratike nuk qëndron te godina e saj, por te vlerat dhe parimet pas të cilave ajo qëndron. Ose më thjesht, te burrat dhe gratë, që i përfaqësojnë këto vlera dhe parime. Të cilët, sigurisht që do të bënin të njëjtën punë dhe me të njëjtin pasion, si po ti çoje godinën e Pentagonit, ashtu edhe po të mos kishin zyra fare. Sepse të merresh sot me godinën e Partisë Demokratike, e cila po u pasuruaka pas transferimit (a thua se do të marrë njeri me vete në shtëpi ndonjë copë SHQUP-i), është njësoj si të thuash se MICROSOFT-i e ka vlerën e tij te qiellgërvishtësi, ku janë vendosur zyrat qendrore të kompanisë gjigante, shprehet Patozi.
Sipas tij, veprimet për marrjen e godinës së SHQUP janë ligjore, ndërkohë që akuzat e Ramës, bëhen me qëllim për të pasur një vatër konflikti me opozitën e re.
Edi Rama sot po kërkon një argument për të pasur një vatër konflikti me Partinë Demokratike, ende pa mbërritur në zyrën e vet, kaq shumë të ëndërruar. Duke treguar se platformë e qeverimit të tij nuk do të jetë llogaridhënia për premtimet e fushatës dhe programin, por mbajtja e pushkës thep-shqekëz në drejtim të opozitës.
Por sigurisht që kjo neve as na bën përshtypje dhe as nuk na komplekson. Përkundrazi, na motivon më shumë. Partia Demokratike do ta bëjë njësoj opozitën si në godinën e SHQUP-it, e cila për hir të së vërtetës i rri ngushtë, por edhe sikur në një çadër ushtrie, të ishte e detyruar të qëndronte përkohësisht (Natyrisht, jo në çadër greve urie, sepse as na shkon në mend ai model i shëmtuar i të bërit politikë), e mbyll shkrimin e tij Patozi./b.l