Pëllumb Xhufi: Pse largohem nga LSI-ja
Nënkryetari i LSI-së deklaron se koalicioni i ri qeverisës është i bazuar në interesa të papastra dhe personale
TIRANË - Pas nënshkrimit të marrëveshjes Berisha-Meta, nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, nuk e sheh më veten pjesë të kësaj partie.
Në një intervistë për gazetën "Shekulli", Xhufi deklaroi se, vendi i tij nuk është më në LSI, që në momentin që Ilir Meta vendosi që t'i shkonte deri në fund vendimit të tij për bashkëqeverisje me Berishën.
Sa i përket koalicionit të ri qeverisës, Xhufi shprehet pesimist për eficencën e tij për sa kohë është ngritur mbi interesat meskine të disa individëve.
"Është koalicion i ngritur jo mbi parime, por i ngritur mbi interesa të papastra dhe personale, i cili për mua nuk do funksionojë. Kjo pasi ky është një koalicion individësh dhe LSI-ja nuk ka hyrë në të si forcë politike dhe as me programin e saj, por me interesat meskine të disa individëve", - tha Xhufi.
Z. Xhufi, Berisha dhe Meta sigluan dje marrëveshjen e bashkëpunimit katërvjeçar mes tyre. Si një nga figurat kryesore të LSI-së si do ta vlerësonit këtë moment?
Është një fund që ne, pra unë dhe disa kolegë të tjerë, u përpoqëm ta evitonim në vazhdimësi gjatë këtyre dy muajve. Për fat të keq, me siglimin e marrëveshjes së djeshme arritëm të kuptojmë se ajo ishte e paravendosur, që para zgjedhjeve parlamentare. Pra, nuk ishte një zgjidhje pas zgjedhjeve, por ishte një mirëkuptim meqë Meta dhe Berisha kishin gjetur që para zgjedhjeve.
Gjëja e vetme që mund të komentoj nga jashtë këtij ambienti është se më vjen mirë që z.Meta ka gjetur më së fundi paqe me shpirtin e tij dhe kjo duket qartë në deklaratën që ai mbajti gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ku i kishin rënë xhindet që i ka shfaqur në këto katër vjet në betejat që ka bërë kryesisht me PS-në dhe jo me PD-në.
Më duket se tani ka gjetur ambientin e vet, në gjirin e Berishës dhe duket se LSI-ja nuk ka qenë ambienti i tij i vërtetë. Ambienti i tij i vërtetë është kjo qeveri ku ai më së fundi ndjehet i qetë.
Sa mund të zgjasë sipas jush kjo qeveri?
Unë s'mund të them se cila do të jetë e ardhmja e kësaj qeverie, por mund të them se qenia në të edhe e ndonjë personi të ardhur nga LSI-ja më jep shkas për të dyshuar në suksesin e kësaj qeverie dhe më jep arsye më shumë se shqiptarët duhet të kenë mendjen më shumë tek xhepat e tyre.
Si do ta gjykonit koalicionin e ri?
Është koalicioni i ngritur jo mbi parime, por i ngritur mbi interesa të papastra dhe personale, i cili për mua nuk do funksionojë. Kjo pasi ky është një koalicion individësh dhe LSI-ja nuk ka hyrë në të si forcë politike dhe as me programin e saj, por me interesat meskine të disa individëve.
Mua më vjen vërtet keq që shumë anëtarë të LSI-së që kanë shpresuar shumë për ndonjë punësim të tyre qoftë në këtë qeveri atipike dhe të panatyrshme do të zhgënjehen keqazi, sepse Meta u premtoi shqiptarëve se do të kthente në punë ata që ishin pushuar në mënyrë të padrejtë nga Berisha dhe sot deklaroj se punësimi nën këtë qeveri do të bëhet vetëm për nivelet politike.
Cili do të jetë pozicioni juaj pas kësaj marrëveshjeje?
Unë jam një qytetar i lirë i interesuar për politikë. Nuk jam angazhuar në asnjë forcë tjetër politike dhe nuk kam ndërmend të ndërtoj ndonjë parti. Por do të mbaj qëndrimet e mija personale dhe nuk do të hezitoj të kritikoj edhe shokët e mi sa herë ata do të veprojnë kundër interesave të shqiptarëve.
Ministrat dhe deputetët e LSI-së do të kenë shansin shumë shpejt që në ditët e para të Kuvendit të tregojnë qëndrimet e tyre parimore për një sërë çështjesh, për të cilat më parë janë deklaruar kundër.
Ne i bëmë thirrje z. Meta që të hiqte dorë nga ky vendim që të shpëtonte LSI-në dhe moralin që kemi shpallur 4 vjet më parë. Nga momenti që z. Meta i shkoi deri në fund vendimit të tij, për ne vendi nuk është më në LSI, e cila një nga gjerat e para që duhet të bëj tani, është ndërrojë emrin e saj.