E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigracioni 'rrudh' klasat, shkurtohen mësuesit

GJIROKASTËR- Ndërsa listat e personave që kanë përfunduar universitetin për degët e mësuesisë e që janë në pritje të një punësimi në rrethin e Gjirokastrës sa vijnë e shtohen, të tjerë mësues pritet të mbeten të papunë. Gjithçka lidhet me përqendrimin e klasave, për shkak të tkurrjes së numrit të nxënësve, veçanërisht në zonat rurale.
Rreth 32 mësues pritet të mos japin më mësim gjatë vitit arsimor 2009- 2010, në të gjithë ciklet, fillor, 9- vjeçar dhe atë të mesëm. Burime zyrtare nga Drejtoria Arsimore Rajonale Gjirokastër bëjnë të ditur rreth 380 nxënës më pak do të frekuentojnë arsimin në këtë vit dhe kjo ulje e madhe e numrit, kryesisht si pasojë e emigracionit, do të sjellë përqendrimin e klasave dhe rrjedhimisht edhe shkurtimin e mësuesve. Mesatarja e rënies së numrit të nxënësve është 300 deri në 330 për çdo vit.
Më të prekur në këtë drejtim do të jenë mësuesit e ciklit 9- vjeçar. Ndërkaq, shifrat e të diplomuarve në degët e mësuesisë e që presin të punësohen shtohen çdo ditë e më tepër. Deri tani në bazë të statistikave numërohen 520 persona që kanë paraqitur kërkesa e që presin të punësohen. Megjithatë duket se problematika e këtyre punësimeve është e gjerë dhe mjaft e mprehtë, pasi numri i shkollave të të gjithë cikleve në rrethin e Gjirokastrës është mjaft i vogël nëse krahasohet me kërkesat. "Mundësitë për t'i punësuar të gjithë të diplomuarit janë shumë të pakta, sepse është duke u zvogëluar numri i nxënësve, veçanërisht në fshatrat e rrethit dhe po synohet krijimi i shkollave të bashkuara në këto zona", sqarojnë burime nga Drejtoria Arsimore.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›