Pëllumbi: Nëse nuk e zgjidhin dot krizën, Berisha-Rama të largohen
Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duhet të dorëhiqen në rast se nuk janë të aftë të zgjidhin krizën politike në vend. Ky është konstatimi i bërë nga ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi, në një prononcim për gazetën “Shqip”. Duke folur për krizën politike në vend, profesor Pëllumbi thekson se zgjidhja e saj lidhet ngushtë me proceset integruese të vendit, siç është liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat në Bashkimin Europian. “Nëse ata nuk munden dot të gjejnë konsensusin për të zgjidhur krizën në vend, atëherë le të dorëhiqen dhe t’ua lënë postet të tjerëve që mund të bashkëpunojnë”, thekson Pëllumbi. Megjithatë, ish-kryetari i Parlamentit nuk u shpreh pesimist në lidhje me mbarëvajtjen e negociatave mes mazhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike në vend. Sipas tij, ndonëse takimi i parë mes palëve nuk solli rezultatin e pritur, ende ka shpresa se konsensusi do të gjendet mes palëve.
“Shpresa se zgjidhja nga tryeza e organizuar nga Presidenti Topi do të vijë është e madhe dhe unë besoj se kjo do të ndodhë”, shprehet ish-kryetari socialist i Parlamentit. Sipas tij, zgjidhja tashmë kërkohet nga të gjithë dhe gjetja e saj bëhet e domosdoshme në kushtet kur Shqipërinë e presin shumë sfida integruese këtë vit. Takimi i Kryeministrit Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së, me kryetarin e opozitës, Edi Rama, në Presidencë u konsiderua si i pasuksesshëm, ndonëse palët u ulën në një tryezë të përbashkët, u takuan, biseduan për më shumë se tri orë, madje shkëmbyen edhe batuta. Pavarësisht kësaj, palët nuk arritën një kompromis për zgjidhjen e krizës politike në vend, që do të pasohej nga hyrja në Parlament e opozitës, e cila përreth 6 muaj nuk ka qenë pjesë e tij. Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha përsëriti në tryezë faktin se mazhoranca është e gatshme për të ngritur një komision hetimor parlamentar, i cili do të hetojë zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, por ajo nuk mund të negocionte për çështje të cilat ishin gjykuar më parë nga gjykatat.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar në tryezën e mbledhur nga Topi se opozita nuk heq dorë nga qëndrimi i saj për hapjen e kutive të votimit në disa zona, që ajo i konsideron si të dyshimta, për sa i përket mënyrës sesi janë numëruar votat aty. Ende nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës i përbashkët mes Berishës dhe Ramës, apo ekspertëve nga të dyja palët, por ajo që dihet është fakti se Presidenti Topi po vijon të zhvillojë takime intensive me palët veç e veç dhe po kështu me ambasadorë të akredituar në Tiranë. Ishte pikërisht insistimi i këtyre ambasadorëve dhe rezoluta e Këshillit të Europës për Shqipërinë, ato që bënë të mundur edhe takimin e parë mes Berisha dhe Ramës.