Pengmarrje fqinjësh
Po të mos kish ndodhur konflikti për pronësinë e ndërtesës së Pallatit të Kulturës Përmet, mes Bashkisë dhe Kishën Ortodokse të qytetit, sdo mund ta kishim ditur se sa në fije të perit janë marrëdhëniet e ndërsjella Shqipëri- Greqi.
Deri më dje kishim deklarata publike se këto marrëdhënie janë të shkëlqyera, bile, kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, premtonte avancim të mëtejshëm të tyre sapo të niste punën qeveria e tij.
Por, përtej asaj që shitet si e shkëlqyer, paska edhe një linjë tjetër, e vjetër madje, që smendon kështu. Mjafton që për një arsye çfarëdo, qoftë edhe nga më banalet, të gjendet shkaku për të rritur tensionet politike mes vendeve. Kjo në vetvete tregon se sa të pasinqertë janë zyrtarët grekë, ku nga njëra anë deklarohen për fqinjësi të mirë dhe nga ana tjetër përpiqen të ngrenë tensione artificiale që si shërbejnë askujt.
Ngjarja e Përmetit, më saktë konflikti për Qendrën Kulturore dhe Kishën, është e vjetër dhe daton këtu e 12 vjet më parë. Aspekti ligjor është përmbyllur me një proces që ka zgjatur në kohë, por që në të gjitha shkallët e tij i ka dhënë të drejtë Bashkisë.
Është shkruar e folur këto ditë, është sharë e mallkuar, ka opinione pro e kundra, ku palët janë ndarë në shumë pjesë. Çështja ka kaluar nga përmasat e një konflikti lokal dhe ka marrë përmasa kombëtare, bile, ndërshtetërore.
Është fakt që shteti grek, nëpërmjet diplomacisë së tij, po ndikon që edhe brenda besimtarëve ortodoksë të ketë një ndarje. Tashmë nuk bëhet më fjalë për të drejta e liri fetare, për objekte kulti që sduhen prekur, për priftërinj që sduhen ngarë me dorë (edhe kur kundërshtojnë ashpër). Jo, fjala është që ortodoksia jonë është dhe do të mbetet shqiptare, apo do vijojë të ketë një kahje inercie drejt greqizimit?
Interesimi i shtuar i Athinës zyrtare, nuk të lë asnjë mëdyshje në këtë drejtim. Ajo po e trajton Ortodoksinë shqiptare si pjesë e pandarë e saj, pra as si vasale, por si pronë që varet drejtpërdrejt prej tyre. Kjo rrit pastaj ndjeshmëri të madhe, jo vetëm ndër besimtarët ortodoksë, por edhe tek kategoritë e tjera të besimit, pasi e shohin këtë ndërhyrje, si shprehje e humbjes së identitetit tonë fetar të autoqefalisë.
Jo vetëm kaq, por pala greke avancon më tej duke futur në valle edhe vetë Komisionin Evropian. Investimi i këtij institucioni nga grekët do të thotë se ata nuk e njohin Republikën e Shqipërisë si një shtet sovran, e cila ka ligjet e saj. Këtu nuk kemi asfare të bëjmë me çështje të minoriteteve etnike, ku padyshim, në këtë rast, jo vetëm Greqia, por cilido shtet i cili sheh se bashkëkombasve të vet u preken të drejtat dhe liritë fetare, ato politike, ekonomike e kulturore, ka të drejtën jo vetëm ta ngrejë si shqetësim, po edhe ta denoncojë me forcë në KE, BE, bile dhe në OKB.
Në rastin në fjalë, çështja është thjesht administrative, midis një institucioni vendor shqiptar siç është Bashkia, dhe një institucioni vendor fetar shqiptar siç është Kisha Ortodokse e Përmetit.
Dhe, për ta vulosur më tej këtë ndërhyrje aspak europianiste të zyrtarëve grekë, ata hedhin hapa të tjerë bllokues e hakmarrës, siç është ai i ndalimit të shtetasve shqiptarë për të lëvizur lirisht drejt vendit fqinj.
Çfarë duan të arrijnë zyrtarët grekë me këtë politikë konfliktuale? Çduan të thonë ata me këto hapa mbrapa që hedhin? Që, demek, ju kemi në dorë në atë pjesë ku edhe ndjeshmërinë e keni më të madhe, pra emigrantët?! Po pse, me pengmarrje ndërtohen marrëdhëniet e fqinjësisë midis dy vendeve? A kemi të bëjmë me një vend anëtar të Bashkimit Evropian, me një vend që më 1 janar 2014 merr kryesimin e Presidencës së BE-së, apo me një vend mentaliteti i të cilit ka ndalur te ëndrrat shoviniste të aneksimit të trojeve të të tjerëve?!
Politika zyrtare e Athinës duhet ta kuptojë se nuk mund të fitojë kapital politik brendapërbrenda vendit të saj me sjellje që i ngjajnë organizatave neonaziste si Agimi i Artë. As vëmendja e publikut të saj nuk mund të tërhiqet nga problemet ekonomike që ai ka, drejt konflikteve të reja ndërfqinjësore.
Ka ardhur momenti që politika greke, në tërësinë e saj, ta kuptojë se kështu nuk mund të ecet më tej. Të dy vendet janë fqinj prej mijëra vjetësh dhe të tillë kanë për të mbetur në shekuj. Për shumë arsye, asgjë e mirë si vjen secilës palë pas çdo tensioni të ngritur. Përkundrazi, gjetja e frymës së mirëkuptimit, heqja dorë nga nacionalizmat e së kaluarës, ndërtimi i urave të forta të bashkëpunimit, trajtimi i çdo ngjarje me gjakftohtësi dhe pa kaluar kufijtë e respektit për sovranitetin, janë ato që dy popujt tanë presin, në të mirë të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe si në planin politik dhe në atë ekonomik.
Nëse pala greke do të vazhdojë ti përmbahet politikave të shekullit të kaluar (të gjitha incidentet lidhen me të ashtuquajturin Vorio- Epir), tna marrë peng e të ndërhyjë në punët e brendshme të Shqipërisë, atëherë është detyrë e kësaj të fundit që të rishikojë edhe ajo politikat e saj (në kushtet e reciprocitetit) për të rihapur ato çështje te cilat Greqia mendoi se i mbylli në 1913-ën me Konferencën e Londrës…
P.S. Pas reciprocitetit të palës shqiptare, Greqia bëri prapa ktheu dhe lejoi lëvizjen e lirë të qytetarëve. Por ajo ende ska hequr dorë nga pretendimet mbi çështjen Përmeti. Kështu që sduhet me qenë shumë entuziastë vetëm nga kjo tërheqje, pasi, siç jemi mësuar në të shkuarën, bllokimi, pengmarrja, apo ndërhyrja në punët tona të brendshme mund të rikthehet në çdo kohë për hiçmosgjë.
