E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensilvania mund të vendosë kandidatin e partisë demokrate për president

Pensilvania, me 12 milionë banorë, është shteti ku zhvendoset gara zgjedhore për kandidatët demokratë për president. Një kombinim komunitetesh rurale, qytetesh të vogla dhe zonash të mëdha metropolitane, ky shtet ka shtrirje të gjerë dhe popullsi të larmishme. Senatori Barak Obama ka një epërsi të lehtë në garën për emërimin e partisë në shkallë vendi. Por shumica e sondazheve tregojnë se senatorja Klinton kryeson në Pensilvani, epërsi që megjithatë po zvogëlohet.

Ata që jetojnë në këto kodra të Pensilvanisë thonë se këtu shtrihen disa nga tokat më të pasura të vendit. Por lagjet nëpër qytete janë mes më të varfërave në vend. Pikërisht këtu, në këtë shtet mbushur me histori u themelua republika, siç vë në dukje edhe kryetari i Bashkisë së një qyteti të vogël, J. Riçard Grej. "Këtu jemi fare pranë varrit të njërit prej nënshkruesve të deklaratës së pavarësisë. Këtu ne e marrim politikën shumë seriozisht”.

Pensilvania është sheshbeteja e radhës në garën historike për emërmin e kandidatit demokrat, mes një afrikano-amerikani, Barak Obama dhe një gruaje Hillari Klinton. Shteti lindor i Pensilvanisë është i madh, i larmishëm dhe ka dy qytete kryesore: Më i madhi është Filadelfia, qyteti i pestë më i madh i vendit. Në pjesën jugore, restoranti familjar Melrose është në kufi të dy zonave shumë të ndryshme elektorale. Distrikti 26 është një zonë italiano-amerikanësh. Ndërsa i 48-ti është i mbizotëruar nga afrikano-amerikanët.

Brenda, kuzhinierët përgatisin mëngjesin për një grup njerëzish që i ngjasojnë përbërjes së lagjes. Një nga udhëheqësit politikë të zonës, thotë se qëndrimet e tyre shpesh përputhen me prejardhjen etnike. Por Bob Durbanis thotë se antipatia e tij për Barak Obamën nuk ka lidhje me racën. "Për mua nuk ka rëndësi që ai është zezak. Ai është njeri që komunikon me të gjithë. Por unë nuk e shikoj atë si presidentin tim”.

Harvej Roberson e përjashton racën si arsye për zgjedhjen e tij. "Mua më pëlqen Senatori Obama, jo për shkak të racës, por sepse mendoj se do të jetë një president i zoti”.

Fushata u zhvendos në këtë sallë ku u mblodhën udhëheqësit e distrikteve të qytetit. Hillari Klinton tha se ishte krenare për fushatën. "Dhe kjo u bë e mundur vetëm nga ata që realizuan para nesh lëvizjen e të drejtave civile dhe atë të grave”.

Ndërsa Senatori Obama përsëriti temën e tij për ndryshim, megjithëse tha se nuk duhet një optimizëm i verbër. "Por duhet të kemi besim tek ndryshimi”.

Vullnetarët për fushatën e zotit Obama ecin në pjesën veriore, që banorët e përshkruajnë si një zonë të varfër. Taniek Miçëm thotë se do sigurime shëndetësore më të mira, duke shprehur kështu shqetësimin e shumë demokratëve në Pensilvani për kujdesin shëndetësor të dobët për 45 milionë të pasiguruarit në vend.

Kompleksi masiv Bethlehem i Çelikut, i braktisur dhe pa jetë, është simbol i një problemi tjetër: vendet e punës. Firma N dhe N për Paisje Shpimi ka pasur sukses në biznesin ndërkombëtar. Majk Gilardi thotë se puna është e mirë, megjithëse ai ka ndryshuar punë tetë herë gjatë katër viteve të fundit. Nuk e fsheh se është i shqetësuar. "Para se të dal në pension mbase do të detyrohem të ndryshoj punë edhe dy, tre herë të tjera”.

Anëtari i Asamblesë së Shtetit Frenk Endrus Shimkus kujton se gjyshi i Hillari Klintonit punonte në një fabrikë në Skranton, që atëherë ishte kryesisht qytet minierash. "Ajo na i kupton shqetësimet. Sigurisht që ajo duhet të kujdeset pët gjithë vendin, por ndoshta ato që e prekin më tepër janë shqetësimet e njohura për të: të moshuarit për shembull”.

Senatori i asaj zone në legjislaturën e shtetit të Pensilvanisë , Robert Mellou thotë se Barak Obama është më tepër njeri i veprave. "Nuk mund të flasësh për ndryshim duke pasur në krye të njëjtët njerëz që mbajnë përgjegjësi për gjendjen ku ndodhet vendi”.

Qyteti i vogël i Lankasterit, në Pensilvaninë Jugore është i rrethuar nga lagjet e jashtme dhe pak më tej, nga fermat. Banorët thonë se konservatorët që jetojnë këtu nuk janë të prirur për ndryshim.

Megjithatë Kryebashkiaku J. Riçard Grej, që përkrah Senatorin Obama, thotë se ai vë re diçka: "Mijëra vetë këtu, kanë ndryshuar përkatësinë partiake duke u kthyer nga republikanë në demokratë, kryesisht për të votuar për Barak Obamën”.

Megjithatë në këto qytete të vogla dhe të mëdha, demokratë të tjerë thonë se janë po aq të entuziazmuar nga mundësia e zgjedhjes së një gruaje. Zgjedhjet paraprake në Pensilvani, mbahen të martën më 22 prill.   //ib//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›