E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush-Berishës: Urime për punën tuaj të mirë

Dy javë nga dita kur Shqipëria u ftua në Samitin e Bukureshtit që të bëhej pjesë e NATO-s, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W.Bush u ka dërguar nga nje mesazh urimi presidentit të Republikës, Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha, në të cilat pasi vlerësoi këtë ngjarje historike për kombin shqiptar vuri në dukje punën shumë të mirë të qeverisë së koalicionit të djathtë, jo vetëm për të merituar këtë anëtarësim por për të progresuar më tej në ndërtimin e shtetit ligjor. “I dashur Bamir, shkruan presidenti Bush në letrën drejtuar kreut të shtetit shqiptar, - takimi me ju në Rumani dhe më pas në Kroaci ishte një kënaqësi e veçantë”. “Ju falenderoj që erdhët, dëgjuat fjalimin tim dhe na nderuat me praninë tuaj në drekë! Ndihem tepër krenar për Ju dhe popullin shqiptar që do të anëtarësoheni në NATO. Ju do të jeni partnerë të fuqishëm” - thuhet në mesazhin urues të Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush. Ndërkaq në mesazhin e përzemërt drejtuar kryeministrit Berisha, Bush uron kreun e qeverisë për punën e bërë deri tani nga qeveria shqiptare. “I dashur Sali! Faleminderit Miku im, që erdhe në Zagreb. Më shijoi dreka jonë dhe me të vërtetë u gëzova tek ju këqyrja Ju, pas pranimit tuaj në NATO, në Rumani. Urime për punën Tuaj të mirë që keni bërë! Me urimet më të mira për Ju dhe familjen Tuaj, Sinqerisht George W. Bush”- shkruan Bush kryeministrit Sali Berisha. Shqipëria së bashku me Kroacinë morën ftesën e anëtarësimit në aleancën e Atlantikut të Veriut 3 prillin e shkuar në samitin e NATO-s mbajtur në kryeqytetin rumun, Bukuresht. SHBA dhe vetë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hoop Shefer ka qenë përkrahësit më të fortë të këtij zgjerimi që për shkak të konfliktit mes Shkupit dhe Athinës për emrin nuk përfshiu ashtu sikurse ishte parashikuar edhe Maqedoninë. Ishte pikërisht ky vullnet i fortë që i hapi rrugë edhe fillimit të negociatave me vendet anëtarë të aleancës për të ratifikuar në parlamentet respektive, me shpresën se ky proces do të përfundojë para samitit festiv me rastin e 60-vjetorin e themelimit të aleancës më të madhe politiko-ushtarake në kohët moderne, në prill të vitit 2009.
Komiteti hebreo-amerikan: Anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO përforcon reformat demokratike në Ballkan/Komiteti hebreo-amerikan, në një mesazh dërguar dje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, vlerëson se "pranimi i Shqipërisë në NATO do të përshpejtojë dhe përforcojë reformat demokratike të ndërmarra ndërkohë në rajonin e Ballkanit”. Presidenti Topi ka marrë një mesazh urimi nga komiteti hebreo-amerikan me rastin e marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO, të vendit tonë. “Në emër të 175.000 anëtarëve të Komitetit hebro-amerikan dëshirojmë t’ju urojmë ju dhe gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë për marrjen e ftesës zyrtare për t’u anëtarësuar në NATO. Ftesa zyrtare, e cila u bë në përfundim të Samitit të Bukureshtit, njeh arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike”, thuhet në mesazhin e komitetit hebreo-amerikan. Gjithashtu, kjo ftesë konsiderohet si “një dëshmi e rolit të rëndësishëm që Shqipëria po luan në promovimin e vlerave demokratike në Evropën Jugore si edhe e kontributeve të prekshme të Shqipërisë në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”. Komiteti hebreo-amerikan vlerëson ndër të tjera se “fuqia e NATO-s është përforcuar edhe nga përpjekjet e lavdërueshme të anëtarëve të saj të rinj, që i kontribuojnë Aleancës, duke shtuar sigurinë për mbrojtjen e përbashkët të vendeve anëtare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›