E Martë, 3 Nëntor 2026

Pensionet, Gonxhja: Premtimet e Berishës të parealizueshme

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili kandidon për deputet i Partisë Socialiste në listë të hapur në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit, theksoi sot se PS nuk ka një tavan për mandatet, por po punohet që kandidatët të marrin sa më shumë vota.

Në një intervistë televizive, Gonxhja tha se “nuk kemi një tavan për mandatet duhet të luftojmë të marrin një numër të madh dhe këtu është qëllimi që të maksimizojmë dhe të marrim një numër më të lartë votash që të kemi vota të reja nga grupe interesi nga komunitete që mund të jenë minoranca dhe mund të jenë larg PS-së dhe prandaj lista është e kompozuar në këtë formë në mosha dhe në përbërje të gjerë nga ana e elektoratit. Duhet të shpresojmë në një numër më të lartë votash për gjithësecilin”.

Gonxhja u shpreh se “nuk ka përpjekje të ketë mbi vendosje të zonave, por patjetër çdo kandidat mund të kryej takime në çdo pjesë të territorit, por kushti është pa krijuar konfuzion në organizatat e bazës”.

Më tej Gonxhja tha se “në lista të hapura janë futur ata kandidatë që janë më aktivë dhe kanë më shumë kohë në politikë”.

“Nuk ka qenë e thënë që kush nuk ka një mandat dhe është ministër është në listë të mbyllur ata që janë drejtues politikë qarqesh e kanë vendin në listë të mbyllur dhe unë nuk kam qenë drejtues politik. Në listë të mbyllur janë vënë drejtues të qarkut dhe disa prej emrave të tjerë që janë menduar që të jenë në listë të mbyllur, sepse në listë të mbyllur janë njerëz që janë më aktivë dhe më të njohur”, theksoi Gonxhja.

Sipas tij, qëllimi i listës është maksimalizimi i votës.

“Përpilimi i saj është në funksion të këtij qëllimi. Lista është e kompozuar në këtë formë, në mosha, kategori të ndryshme dhe përbërje sa më të gjerë të elektoratit, me qëllim që të çdokush ta gjejë veten të përfaqësuar. Dhe për sa kohë jemi në një skemë të re, e bën dhe më interesante garën”, u shpreh Gonxhja.

Gonxhja foli edhe për konkurrencën mes socialistëve që janë pjesë e listës së hapur.

“Mendoj se deri tani jemi në një situatë normaliteti pune, në komunikim me elektoratin dhe në raport me njësitë administrative. Një numër i madh kandidatësh, madje edhe brenda të njëjtave njësi, e bën këtë një garë komplekse. Kjo konkurrencë, nëse arrihet të menaxhohet me zgjuarsi dhe maturi, do të ishte një sukses i plotë”, tha Gonxhja.

Lidhur me objektivin e PS-së për qarkun e Tiranës, Gonxhja tha se synohen më shumë se 20 mandate.

“Duam që të kapërcejmë mandatin e 19-të dhe të 20-të, të shkojmë edhe më lartë. Kemi bërë një punë shumë të mirë, ku njësia 6 që unë drejtoj, ka qenë e para në regjistrimin e diasporës, por edhe sa i takon grumbullimit të informacionit në rang qarku dhe në nivel vendi. Natyrisht, vota është një akt solemn i çdo qytetari dhe ne nuk mund të dimë si do të jetë vota e diasporës për secilin qytetar. Por, bazuar në sondazhet dhe pyetësorët, jemi të bindur se jemi në avantazh edhe në diasporë”, tha Gonxhja.

I pyetur për pensionet, Gonxhja i cilësoi premtimet e Berishës të parealizueshme.

“Nuk dua ta paraqes këtë si një premtim prej Nastradini, por më duhet të ndalem te Saliu. Sepse, së pari, nuk e kuptoj se si i ka bërë llogaritë. Tabaku është bërë lanet, Basha nuk është më, Bardhi po ashtu është jashtë loje – dhe nuk e di se mbi çfarë bazash i ka bërë Saliu llogaritë për çështjen e pensioneve. Uroj që të mos jetë llogaria e Mulit. Berisha na e la pensionin mesatar në 86 euro në vitin 2013 dhe na e la tregun e punës në pikën më të deformuar ndonjëherë, për shkak të një skeme malinje të pensioneve”, tha Gonxhja.

/k.s/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›