Pensionet me Italinë, nga 1 qershori nis zbatimi. Flet për RTSH zv.ministrja Olta Manjani

Shqipëria është 10 ditë larg nga nisja e zbatimit të marrëveshjes dypalëshe për pensionet me Italinë, nga e cila do të përfitojnë mbi 500 mijë emigrant shqiptarë dhe 4.000 italianë që jetojnë në Shqipëri.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, thotë se ky pakt siguron bashkimin e kontributeve mes dy vendeve pa humbur asnjë vit.
“Dokumenti i cili u përcoll nga znj. [Georgia] Meloni ishte dokumenti final, që konkludonte edhe hyrjen në fuqi dhe zbatimin e marrëveshjes, e cila do të fillojë në datën 1 qershor. Ajo siguron të drejta të barabarta të shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, dhe njëkohësisht të shtetasve italianë që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Një ndër pikat më të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje është edhe totalitizimi, bashkimi i periudhave kontributive. Nëse një shtetas shqiptar ka punuar 10 vite në Shqipëri dhe 15 vite në Itali, për efekt të llogaritjes së pensionit këto do të quhen 25 vite kontribute në total, nga të cilat 10 do t’i përfitojë nga skema shqiptare dhe 15 nga skema italiane. Në skemën shqiptare për të përfituar një pension duhen minimalisht 15 vite kontribute, ndërsa në skemën italianë është pak më e lartë – 20 vite kontribute,” thotë zv.ministrja e Ekonomisë.
Znj. Manjani sqaron dhe një tjetër detaj si pjesë e dokumentit final.
“Në prani të një marrëveshjeje të tillë mjafton që të plotësohet kriteri i minimumit të viteve kundrejt një shteti. Në rastin shqiptar është 15 vite. Pra, nëse një shtetas shqiptar do të kishte 7 vite në skemën shqiptare dhe 8 vite në skemën italiane, në total 15 vite, atëherë, meqenëse në këtë rast kemi të bëjmë me vitin minimal të kontributeve që plotësohen në skemën shqiptare, do të përfitojë një pension për 15 vite dhe do të marrë 7 vite në skemën shqiptare dhe 8 vite nga skema italiane,” tregon zv.ministrja Manjani.
Nënshkrimi i sa më shumë marrëveshjeve të tilla në fushën e sigurimeve është edhe një kriter anëtarësimi në Bashkimin Europian.
“Aktualisht jemi në negociata me shtetin slloven. Jemi në një fazë të avancuar të negociatave. Gjithashtu me Moldavinë, Serbinë… pritet të bëhet ratifikimi në parlamentet përkatëse. Do të vijojmë edhe me vendet e tjera. Është shumë i rëndësishëm negocimi i marrëveshjeve të tilla, jo vetëm për të siguruar që të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen, të jenë të mbuluar me elemente të sigurimeve shoqërore, por edhe në kontekstin e integrimit në Bashkimin Europian,” deklaron znj. Manjani.
Nga momenti që shtetasit do të vendosin vendin ku do të bëjnë aplikimin, aty do të do të eksportohen përfitimet, të cilat do jenë me “0” kosto.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/