“Për 3 gratë e jetës sime”/ Julian Lekoçaj rrëfen nismën për “8 Mars”: Dorë për dore me vajzën, në solidaritet me gratë që luftojnë në heshtje

Ajo zgjohet herët. Ajo punon, kujdeset, lufton dhe ëndërron. Por këtë 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ajo ka një tjetër mision: Ajo vrapon.
Nën moton “Ajo vrapon”, Parku i Liqenit Artificial në Tiranë do të shndërrohet në një arenë solidariteti më 8 mars. Ky nuk është thjesht një aktivitet sportiv, por një event komunitar që bashkon gra, vajza dhe mbështetës të kauzës për të festuar fuqinë, vendosmërinë dhe barazinë gjinore.
Ideatori dhe organizatori i këtij eventi, kantautori Julian Lekoçaj, në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, ka zbuluar zanafillën e këtij projekti që e prek edhe personalisht. “Patëm këtë ide për të krijuar një event i cili do t’u kushtohet grave, për t’i mbështetur ato në problematikat që kanë dhe në vuajtjet që përballojnë. Të themi të vërtetën, gratë janë më të forta se burrat”, u shpreh Lekoçaj.
Por nga e mori frymëzimin kjo nismë? Ai theksoi se projekti lindi si reagim ndaj realitetit social. “Nisi nga problematikat që ne hasim çdo ditë në rrjetet sociale dhe në jetën e përditshme. Menduam që 8 marsi do të ishte data perfekte për një organizim të tillë”. Për organizatorët “Ajo Vrapon” është më shumë se një garë, është një deklaratë force.
Për Julianin, ky event është i veçantë jo vetëm si organizator, por edhe si prind e bashkëshort. “Jam i përfshirë shpirtërisht sepse mbështes tre gra në familjen time. Do të mbaj banderola për to, do të eci dorë për dore me vajzën time. Ia dedikoj mamasë dhe gruas sime”.
Aktiviteti nuk do të mbyllet vetëm me vrapin 5-kilometërsh. Në fund të marshimit, atmosfera do të gjallërohet me muzikë nga DJ dhe do të shpërndahen certifikata mirënjohjeje për pjesëmarrësit.
Përtej 8 Marsit, Julian Lekoçaj ka plane ambicioze për sportin dhe artin. Më 21 qershor, Pogradeci do të mirëpresë Triathlonin e parë, një bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Triathlonit dhe Bashkinë e qytetit. “Gara ndahet në tre disiplina: not, biçikletë, vrap. Brenda këtyre disiplinave kemi kategorinë sprint dhe olimpik. Pogradeci është qyteti që i ofron kushtet më të përshtatshme për një garë Triathloni. Cirkuiti i biçikletës shkon nga rruga drejt Linit, ndërsa rruga e vrapit shkon drejt Drilonit për ta mbyllur në sheshin Odeon”.
Lekoçaj tregon se kësaj ngjarjeje sportive do t’i bashkohen kampionë e atletë jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Greqia, Maqedonia e Veriut, Kosova, Italia, Sllovenia e Mali i Zi.
Ndërkohë, në planin artistik, kantautori po përgatit dy këngë të reja: një dedikuar dashurisë dhe një tjetër në stilin alternative-hiphop, “dedikuar atyre që janë larguar nga Shqipëria, të cilët merren akoma me fatin që kanë lënë pas ndërkohë që jetojnë në një tjetër realitet”.