Për Ditën e Pavarësisë, Veliaj: “Parada e shqiptarëve” më 28 nëntor

Për herë të parë vjen në Tiranë, “Parada e shqiptarëve”.
Aktiviteti do të zhvillohet më 28 nëntor në bashkëpunim me “Rrënjët shqiptare” (“Albanian Roots”).
Teksa jep këtë lajm, kryebashkiaku Erion Veliaj i fton të gjithë të bashkohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
“Në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, m’u në zemër të kryeqendrës së shqiptarëve, vjen ‘Parada e Shqiptarëve’ – një festë e paharruar për Ditën e Pavarësisë, plot ngjyra e hare, me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga të gjitha qytetet shqipfolëse të rajonit, për t’u mbledhur së bashku në një paradë kushtuar historisë, trashëgimisë dhe kulturës sonë,” thotë Veliaj ndër të tjera në mesazhin e postuar në rrjetet sociale.
Sipas kryebashkiakut, kjo paradë do të mbahet në Tiranën e transformuar vitet e fundit.
“Tirana do të mirëpresë krahëhapur, me këngë e valle, çdo shqiptar që ka dëshirë të na bashkohet në festën tonë të madhe. Por, kam edhe një falënderim për ‘Rrënjët shqiptare’, që pas 15 vitesh organizimi në Nju-Jork e riktheu Paradën aty ku janë rrënjët e saj, në Shqipërinë tonë, në kryeqytetin e shqiptarëve! Mezi pres t’ju takoj të gjithëve në Tiranë në 28 Nëntor,” përfundoi Veliaj.
/rtsh.al/