Për Përmetin ka vetëm zgjidhje ligjore
Av. Idajet Beqiri/Kryetar i PUK
Ajo çka ngjau në Përmet me klerikët e Kishës Ortodokse është një ngjarje e paprecedentë, e cila e kompromenton rëndë misionin e kishës. Madje kjo ngjarje kompromenton shumë rëndë shtetin dhe diplomacinë greke, të cilët bënë një ndërhyrje që është diametralisht e kundërt me principet e qytetërimit evropian, të një shteti të mirëfilltë ligjor si dhe të një diplomacie serioze. Problemi i ambienteve të Pallatit të Kulturës në Përmet është një problem i mirëfilltë ligjor. Ka vite që është krijuar një mosmarrëveshje pronësie. Konflikti i krijuar, meqenëse ka karakter juridik, e vetmja rrugëzgjidhje e tij është që palët e interesuara t’i drejtohen gjykatës. Pallati i Kulturës në Përmet është pronë publike nën administrimin e Bashkisë së Përmetit. Kjo Bashki ka fituar betejën juridike me Kishën dhe Gjykata ka dhënë një vendim gjyqësor të formës së prerë me anën e të cilit i kërkohet Kishës të lirojë të gjitha ambientet e Pallatit të Kulturës. Kisha i ka patur të gjitha instrumentet juridike të paraqiste pretendimet dhe ankesat e veta në gjyq. I ka paraqitur ato në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit i kanë konsideruar antiligjore të gjitha pretendimet e Kishës.
Në këto kushte vendimi gjyqësor sipas koncepteve të një shteti juridik ka tashmë fuqinë e ligjit dhe zbatohet pa ekuivok. Veprimet e Zyrës Përmbarimore dhe e policisë për të ekzekutuar këtë vendim gjyqësor janë të drejta dhe në përputhje të plotë me ligjin. Kundërshtimi që kanë bërë priftërinjtë ortodoksë kundër veprimeve të ligjshme të përmbaruesit gjyqësor ditën që është ekzekutuar ky vendim gjyqësor, është vepër penale. Janë me dhjetëra e dhjetëra raste në Shqipëri që veprime të tilla, si ky i kryer nga priftërinjtë ortodoksë në Përmet, janë dënuar penalisht për pengim në ekzekutimin e vendimit gjyqësor. Pra, pengimi i ekzekutimit të një vendimi gjyqësor është vepër penale e parashikuar në nenin 320 të Kodit penal dhe dënohet deri në dy vjet burg. Nëse priftërinjtë kanë bindjen se e drejta është me ta, rruga e vetme që zgjidhet në një vend të qytetëruar, ku funksionon shteti ligjor, është kundërshtimi në gjykatë i veprimeve përmbarimore. Rruga e “rezistencës” prej priftërinjve quhet dhunë kundër organit që ka për detyrë ligjore të zbatoj vendimet gjyqësore. Për rrjedhojë të penalizon. Akti tjetër i priftërinjve, të cilët përmes krimit të vetëgjyqësisë kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë bashkiake dhe janë futur në Pallatin e Kulturës, duke e zaptuar atë me forcë, është një akt tjetër i pashembullt. Edhe sikur historikisht kjo pronë të ishte e kishës, sikurse pretendojnë priftërinjtë, përsëri ligji mbi kthimin dhe kompensimin e pronave, që ka dalë në vitin 1993, e ka nënvizuar qartë dhe prerë, se nuk u kthehen pronarëve të vjetër, ato prona që janë tjetërsuar dhe i shërbejnë një interesi publik. Pallati i Kulturës është pronë publike. Kisha pronare në këtë rast kompensohet me një pronë tjetër. Pra edhe në gjenezë priftërinjtë nuk kanë të drejtë.
Dhuna e priftërinjve ortodoksë, përmes pengimit të ekzekutimit të një vendimi gjyqësor, dhuna e tyre kundër punonjësve të policisë, si dhe dhuna e përdorur për të rimarrë jo me rrugë ligjore, por me vetëgjyqësi diçka që me dokumente i takon shtetit shqiptar, domethënë Bashkisë së qytetit, tregon se nuk kemi të bëjmë me besimtarë dhe me priftërinj ortodoksë. Ndërhyrjet e segmenteve të papërgjegjshme të shtetit grek, në këtë rast me deklarata jo serioze, marrja në mbrojtje prej tyre e akteve që përbëjnë vepër penale që kryejnë disa priftërinj ortodoksë në Përmet, janë akte të dënueshme për të gjithë botën e qytetëruar. Në se një akt i tillë do të kishte ndodhur në Greqi, pseudo-priftërinj të tillë do të ishin përplasur pa hezitim prapa hekurave të burgut. Nëse Greqia, mendon se me akte të tilla do t’i imponohet shtetit shqiptar të “lëshojë pe”, se ndryshe do vendosë veton kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe nëse vetë BE-ja do t’i tolerojë edhe në të ardhmen këto akte shoviniste si dhe këto mospërfillje të hapura që i bëhen një shteti ligjor dhe një vendi sovran, pra një BE e tillë që thotë “bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë” nuk i duhet një Shqipërie demokratike, të qytetëruar dhe sovrane.