Prokuroria dhe Policia, dy lloj shifrash për krimin
Preng Cara/Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar
-Jemi të përfshirë nga një periudhë e nxehtë vere, ku temperaturat si asnjëherë tjetër kanë arritur kulmin e bashkë me to fatkeqësisht edhe krimi ka kapur majat. Siguria publike dhe jeta e qytetarëve çdo ditë e më shumë janë në rrezik dhe fshehja e zbutja e qëllimshme e realitetit të hidhur nga qeverisja në ikje përbën krim. Komiteti i Pajtimit Mbarë Kombëtar e z. Gjin Marku kanë përshëndetur para do kohësh thellimin e Kodit të Procedurës Penale të iniciuar nga sistemi i Drejtësisë, që bënte fjalë për ndryshime ku vrasja për gjakmarrje shkonte për gjykim tek krimet e rënda e dënohej jo më pak se 30 vjet, deri në dënim të përjetshëm. Vrasja me dashje brenda familjes jo më pak se 20 vjet deri në dënim të përjetshëm, vrasjet e policëve, format e trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual, trafikimi i lëndëve narkotike e lufta kundër korrupsionit u shkonte për gjykim krimeve të rënda. Siç shihet kjo paketë parashikonte dënime të rënda nga 20-30-40 vjet e deri në dënim të përjetshëm. Por a e parandalon gjakmarrjen dhe krimin në familje një paketë e tillë? Fillimisht menduam se do ta zbuste fenomenin. Por, tani shohim se ,sistemi i drejtësisë me këtë paketë ka dështuar plotësisht. S’ka sesi të shpjegohet fakti se krimi, hakmarrja e gjakmarrja, ai i rrugës e brenda familjes, në këtë shtatëmujor e gjysmë, kanë kapërcyer të gjitha parashikimet, duke mbjellë frikë e panik në opinionin qytetar. Shifrat janë kokëforta. Ato tregojnë jo pak, por 85 të vrarë, 60 të vetëvrarë e 200 të vdekur e 1500 të plagosur në rrugët tona automobilistike. Nga të vrarët janë 70 meshkuj e 15 femra.
20 raste brenda familjes, prej të cilave 11 meshkuj e 9 femra, duke kaluar jo vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vendeve të Bashkimit Europian, për nga numri i popullsisë dhe koeficienti i vrasjeve për 100 mijë banorë. Por le t’i referohemi krimit në familje. Në qoftë se deri më 12 gusht të këtij viti kemi 20 viktima brenda familjes, prej të cilave 9 femra e 11mëshkuj, vetëm 2 muaj mbas miratimit të Kodit të ri të Procedurës Penale për vrasjet në familje, në vend që krimi brenda llojit të ulej, fatkeqësisht ai është rritur së tepërmi. Sot shoqëria shqiptare fatkeqësisht gjendet përballë dy realitetesh të kundërta të konceptimit ,të paraqitjes e të luftës ndaj ndaj krimit. Nga njëra anë, tendenca, nëpërmjet uljes së shifrave për fshehjen e realitetit të dhunës e krimit nga strukturat shtetërore e nga ana tjetër, lufta e disa mediave për nxirjen e këtij realiteti, përmes titujve bombastikë për të shitur produktin e tyre shpesh fals, duke e çorientuar edhe qytetarin më të përgjegjshëm. Për të parë sesi e njohin realitetin e sigurisë publike dy nga organizmat më të rëndësishme në vend, Prokuroria dhe Policia e Shtetit për vitin 2012, po japim shifrat e publikuara nga vetë këto të dy dikastere. Sipas raportit të Prokurorisë së Shtetit, krimi kundër jetës për vitin 2012, regjistroi 648 raste, ndërsa Policia kishte 513 raste, me një diferencë 135 raste më pak për Policinë. Krimi kundër drogës: Prokuroria deklaroi 962 raste në shkallë vendi, ndërsa Policia 607 raste , pra 335 raste më pak për Policinë.
Vrasjet për vitin 2012: Prokuroria kishte të regjistruar 107 raste, ndërsa Policia 125 raste që do të thotë, 18 raste më pak për prokurorinë. Vjedhjet me dhunë: Prokuroria kishte të regjistruar 280 raste, ndërsa Policia 223 raste, pra 57 raste më pak Policia. Armëmbajtje pa leje: Prokuroria regjistroi 932 raste, ndërsa Policia 920 raste. Diferenca 10 raste më pak për Policinë e Shtetit. Siç shihet më lart, dy organe serioze të luftës ndaj krimit e dhunës në një shtet prej 2.8 milionë banorësh, nuk kanë të njëjtat shifra, që do të thotë se, ose nuk e njohin siç duhet realitetin e hidhur të kriminalitetit, hakmarrjes e gjakmarrjes, ose e fshehin atë qëllimisht për të deformuar transparencën para publikut shqiptar, gjë që është hileqare, e dhimbshme dhe e pafalshme. Situata e rënduar e krimit në Shqipëri, nuk duhet kuptuar si evoluim i kohërave moderne, pasi pa dashje ose me qëllim, mbjell indiferentizëm tek masat e gjëra. Ai duhet kuptuar si një e keqe e madhe që duhet luftuar me të gjitha kapacitetet e nevojshme. Shpesh po etiketohemi nga të huajt, të cilët nuk na duan të mirën, si vendi i krimit, korrupsionit e i rezultateve të hidhura të mbjelljes, kultivimit e tregtimit të hashashit. Vetë organet e ruajtjes së Rendit pranuan kohët e fundit, se Lazarati është shpallur zonë e prodhimit të 900 tonëve lëndësh narkotike me një vlerë të ardhurash prej 4.5 miliardë eurosh, dy herë sa buxheti i Shtetit.
Njësoj sikur të ishte Republikë më vete. E strukturat e Ruajtjes se Rendit thonë se do të hymë në Lazarat, a thua se duhet marrë vizë ambasade. Njerëzit sot, fatkeqësisht janë të prirur që të mos i zbatojnë ligjet e Shtetit, sepse kanë humbur respektin ndaj strukturave të larta shtetërore, organeve të akuzës që janë prokuroritë, e atyre të ndëshkimit që janë gjykatat. Kuptohet se ligjet janë miratuar për t’u zbatuar nga të gjithë, pasi dihet se ato janë nene të vendosura nga shumica në demokraci, për ta detyruar individin të zbatojë atë gjë, që po të mos ishte e sanksionuar me ligj, nuk ishte i detyruar ta bënte. Lind pyetja: pse disa sot janë të prirur për të realizuar pikërisht atë gjë që bie në kundërshtim me ligjin? Sepse Shteti, si i paaftë që është në një demokraci të brishtë si kjo e jona, e aq më tepër jo funksionale, ka humbur besueshmërinë e tij tek masat e gjera qytetare. Zhgënjimi qytetar përballë fshehjes nga strukturat shtetërore të realitetit të hidhur të krimit kundër jetës, trafikimit të qenieve njerëzore, të prostitucionit, kur dihet se krimi për shkak të pronës, ai i rrugës, i vjedhjeve e sidomos dhunës brenda familjes, gjinisë e krushqisë, po bëjnë kërdinë. Duke qenë se krimi po sofistikohet e po kalon në realitete krejt të reja, do të ishte me interes që të rishikohet e të thellohet më tej Kodi i Procedurës Penale nga sistemi i Drejtësisë, Qeveria e parlamenti i ri.