Për herë të parë/ FIFA shet edhe vendet e parkimit, ja sa kushton një post gjatë Kupës së Botës

Me kalimin e ditëve FIFA po vendoset në një pozicion gjithmonë e më të vështirë karshi tifozëve, të cilët duan që të ndjekin direkt ndeshjet e Botërorit 2026.
Çështja kryesore, e cila ka bërë që të gjithë të rebelohen është ajo që ka lidhje me çmimet e biletave.
FIFA ka pranuar se nuk mund të bëjë asgjë për të evituar rishitjen e biletave pasi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një veprimtari e tillë është e ligjshme.
Me kalimin e ditëve ka dalë në pah edhe një tjetër problem. Siç dihet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës transporti publik nuk është i zhvilluar ashtu si në Europë dhe për këtë motiv shumë struktura spotive aksesohen vetëm nëpërmjet veturave. Sipas Henry Bushnell të “The Athletic”, FIFA po shet edhe vendet e parkimit pranë impianteve sportive.
Një vend parkimi pranë “SoFi Stadium” në Los Angeles po shite për rreth 250 deri në 300 dollarë amerikanë. Si të mos mungonte çmimi i lartë i vendeve të parkingut, tifozët janë ankuar edhe për vendndodhjen e tyre pasi për të shkuar deri në stadium duhet që të ecin për gati 1500 metra.
Kupa e Botës FIFA 2026 do të jetë edicioni i 23-të i Kampionatit Botëror të Futbollit për meshkuj, organizuar nga FIFA.
Turneu do të zhvillohet për herë të parë në tre vende: Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke nisur nga 11 qershori deri më 19 korrik.
Ky do të jetë edicioni i parë që do të përfshijë 48 skuadra pjesëmarrëse, në vend të 32 që ishin në fuqi që nga viti 1998.
Finalja do të zhvillohet në stadiumin “MetLife” në New Jersey.
LEXO EDHE: UEFA publikon oraret e ndeshjeve “Play Off”/ Ja kur luan Shqipëria dhe Kosova