E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Për herë të parë në 27 vite, një president gjerman viziton Shqipërinë më 1 dhe 2 dhjetor

Për herë të parë në 27 vite, një president gjerman do të vizitojë Shqipërinë. Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier do të vizitojë vendin tonë më 1 dhe 2 dhjetor ku do të jap një mesazh mbështetje për vendin në rrugëtim e tij drejt familjes europiane.

Ambasada gjermane në Tiranë njofton se presidenti Frank-Walter Steinmeier do të zhvillojë takime me presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe do të mbajë edhe një fjalë në Kuvendin e Shqipërisë.

Presidenti gjerman do të vizitojë Maqedoninë e Veriut dhe më pas do të ndalet në Shqipëri më 1 dhe 2 dhjetor, si një sinjal i mëtejshëm se Gjermania po mbështet dhe ndjek intensivisht rrugën evropiane të rajonit në tërësi dhe të Shqipërisë në veçanti.

Kjo është hera e parë në 27 vjet që një president gjerman viziton Republikën e Shqipërisë. Presidenti Federal Steinmeier ka patur mundësinë të njihej me Tiranën dhe të zhvillonte bisedime në detyrën e tij të mëparshme si Ministër i Jashtëm.

“Gjithashtu është planifikuar një takim me nxënës/e nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, një diskutim mbi ballafaqimin me të kaluarën komuniste dhe një vizitë në një kompani gjermane, ku do të hidhet dritë mbi potencialet ekonomike dhe mundësitë këtu në Shqipëri. Presidenti Federal është i lumtur që do mundë të njohë historinë dhe kulturën shqiptare gjatë një vizite në Berat, duke krijuar kështu një përshtypje mbi Bashkëpunimin gjermano-shqiptar për Zhvillim”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ambasadës Gjermane në Tiranë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›