E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për herë të parë në Lajpcig

Për herë të parë, sivjet në Panairin e Librit në Lajpcig të Gjermanisë do të marrin pjesë edhe botuesit nga Kosova. I ftuar nga drejtori i këtij panairi, Unioni i Botuesve të Kosovës do t’i prezantojë në Lajpcig librat e botuar së fundmi nga disa prej botuesve kosovarë.

Për nga rëndësia që i kushton letërsisë së Europës Juglindore, Panairi i Librit në Lajpcig të Gjermanisë mund të konsiderohet më produktiv dhe më i rëndësishëm për botuesit kosovarë sesa Panairi i Frankfurtit, edhe pse ky i fundit është panairi më i madh në botë i librit. Me gjithë rëndësinë që ka, në këtë panair botuesit kosovarë nuk kanë marrë pjesë asnjëherë. Së paku, deri sivjet. Këtë traditë të mospjesëmarrjes së botuesve nëpër evenimente të rëndësishme ka vendosur ta thyejë Behxhet Bici, kryetar i Unionit të Botuesve të Kosovës. Ai bashkë me Trim Ibrahimin nga ky Union do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë panair, i cili do të mbahet prej datës 15 deri më 18 mars. Ftesën Bici e ka marrë nga Oliver Zille, drejtor i Panairit të Librit të Lajpcigut.

“Në fund të janarit dhe në fillim të muajit shkurt mora pjesë në konferencën ndërkombëtare ‘Botuesit sot’, që u mbajt në Zagreb, e ku u diskutuan çështjet e perspektivës, vështirësive, kornizave ligjore, mundësive të përkrahjes, gjendjes së tregut dhe strategjive të botuesve në Europë, Kroaci dhe rajon. Konferenca u organizua nga Traduki, Frankfurter Buchmesse, Instituti Goethe në Zagreb dhe Knjizni Blok. Aty pata rastin të takohem me Oliver Zille, drejtor i Panairit të Lajpcigut, me të cilin diskutuam për problemet me të cilat ballafaqohen botuesit në Kosovë”, tregon Bici. Ai shton se Zille që atëherë i kishte bërë ftesë për të marrë pjesë në Panairin e Librit në Lajpcig, të cilën Bici e kishte pritur mirë dhe i kishte premtuar Zille-s se do të bënte çmos që të shkonte në Lajpcig. Më t’u kthyer nga Kroacia, Bici shkon në Ministrinë e Kulturës, ku kërkon mbështetje financiare. E ministria për t’u mos treguar dorështrënguar, siç ndodh shpesh, atij i jep një shumë simbolike, me të cilën Bici e kishte të pamundur që të shkonte në Lajpcig.

“Ministria e Kulturës na ka ndihmuar me 1500 euro. Mirëpo, stenda më e vogël në panair kushton 1700 euro. Pastaj shpenzimet e rrugës, akomodimit e të tjera. Vetëm me të hollat që na i ka dhënë ministria e kemi pasur të pamundur të shkojmë”, tregon Bici, i cili gati sa nuk pati hequr dorë nga shkuarja atje.

“Më vinte keq t’i thosha drejtorit të Panairit të Lajpcigut se shkaku i mungesës së të hollave nuk mund të marrim pjesë. Madje i kisha premtuar se do të shkojmë”, thotë Bici, i cili për të mos e zhgënjyer mikun gjerman kishte kërkuar ndihmë edhe nga Ambasada e Kosovës në Berlin si dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilat nuk kanë hezituar t’i ndihmojnë.

“Falë ndihmës së tyre ne do të jemi të pranishëm në Panairin e Librit në Lajpcig, ku do t’i prezantojmë librat e fundit të disa prej shtëpive botuese të Kosovës”, shprehet Bici, i gëzuar tej mase sikur t’i ishte hequr një barrë e rëndë që e rendonte.

MST: Në Lajpcig edhe shkrimtarët

Ndryshe prej botuesve, për shkrimtarët kosovarë nuk është hera e parë sivjet që do të marrin pjesë në këtë panair. Shkrimtarë si Beqë Cufaj, Ali Podrimja, Arben Idrizi apo Shkëlzen Maliqi kanë marrë pjesë në Panairin e Lajpcigut gjatë viteve të kaluara. I ftuar nga shtëpia "LAP- Academic Publishing", në këtë panair do të marrë pjesë edhe studiuesi i letërsisë Vehbi Miftari, i cili po ashtu do të promovojë librin e tij "Metatextual literature - A short introduction", të përkthyer dhe të botuar para pak ditësh në gjuhën angleze nga botuesi i lartpërmendur.

Po ashtu i pranishëm që disa vite ka qenë edhe dramaturgu Jeton Neziraj, i cili bashkë me Beqë Cufajn dhe Blerina Rogova-Gaxha, do të jetë i pranishëm në këtë panair edhe sivjet.

“Dy vjet kam shkuar me ftesë të Tradukit, përmes Panairit të Lajpcigut, sivjet shkoj me ftesë të Fondacionit Robert Bosch. Qendra Multimedia bashkëpunon me fondacionin Robert Bosch për një kohë të gjatë, që pesë apo gjashtë vjet. Ata e kanë aranzhuar këtë udhëtim në kontekstin e panairit. Do të marr pjesë në panair dhe do të kem disa takime të rëndësishme me botues gjermanë dhe agjencione të librit”, u shpreh Neziraj.

Ai po ashtu bëri të ditur se në panair do të prezantohet edhe broshura ‘Letërsia e re nga Kosova’, e botuar nga Qendra Multimedia në Prishtinë, e cila është broshurë informative, në të cilën janë mbledhur emrat e disa autorëve kryesisht të gjeneratës së re por edhe të gjeneratës së mesme, biografi të tyre, informacione rreth librave të tyre etj.

“Është thjeshtë një broshurë që do t’u shërbejë botuesve të huaj që janë të interesuar për letërsinë e re të Kosovës. Gjithashtu në broshurë janë përfshirë edhe emrat e disa prej përkthyesve më autoritativ prej shqipes në gjuhët e huaja. Po ashtu janë prezantuar disa shtëpi botuese të Kosovës. Ka dalë një broshurë simpatike në dy gjuhë, anglisht dhe gjermanisht dhe do të prezantohet më 17 mars në ora 11:00 në hapësirat e Panairit të Lajpcigut”, tregoi Neziraj.

Realizimi i broshurës është iniciuar dhe ideuar nga Qendra Multimedia në Prishtinë. Duke qenë në Panair të Lajpcigut viteve të kaluara, Neziraj e ka parë se Kosova aty nuk ka qenë e prezantuar përpos individualisht ndonjë autor.

“Kosova zyrtarisht nuk ka marrë pjesë dhe unë kam konsideruar se ia vlen të bëhet një broshurë, e cila do t’i japë disa informata bazike për letërsinë në Kosovë dhe shtëpitë botuese të Kosovës”, tha Neziraj. Kjo si duket është në interes edhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët, siç tregoi Neziraj, janë të interesuar ta shpërndajnë nëpër ambasadat e Kosovës.

Neziraj shtoi se qëllimi i broshurës e po ashtu edhe i panelit që do të mbahet me krijuesit nga Kosova është që të jepen disa informacione dhe të diskutohet me të pranishmit për letërsinë e re të Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›