E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për në Brazil, si në Amerikë pa viza!

E pabesueshme, tepër e vështirë dhe thuajse e pamundur duket tani pas humbjes në Slloveni rruga e Kombëtares sonë për në finalet botërore të Brazilit 2014, gati e tillë sikur një shqiptari t’i shkrepej për të shkuar në Amerikë, por pa siguruar më parë një vizë për atje! Ndoshta nuk është gjetja më e saktë për këtë rast, por për vetë ambiciet e hershme të banorëve të këtij vendi, që të kufizuar dikur deri në izolim nga bota e kishin ëndërr të madhe për ta parë atë, ashtu më ngjan tani edhe ky iluzion i yni, që prej kohësh e ka radhitur Kombëtaren e futbollit mes finalisteve të Botërorit të ardhshëm. Si do që të jetë, ëndrra le të vazhdojë edhe më tej, paçka se rrallë herë ato mund të përputhen me realitetin. Nisur nga hyrja e këtij komenti, shumëkush mund të mos jetë dakord e të mbetet i dyzuar prej llogaritjeve që mund t’i dalin pas tri ndeshjeve të ardhshme që do të zhvillojë ekipi ynë përfaqësues dhe prej të cilave ende ka mundësi për të realizuar synimin e madh të të qenit finalist në një botëror, sidomos tani kur i jemi afruar aq pranë atij. Po ashtu, argumente të tjerë mund t’i ushqejnë këto iluzione, siç mund të jetë edhe fakti i shumëpërfolur i humbjes sonë në Lubjanë, sikur ajo të paskësh ardhur vetëm nga një episod i një gjuajtjeje dhe prej formës së jashtëzakonshme të portierit kundërshtar, duke harruar, ndoshta qëllimisht, se nëpërmjet një episodi të një gjuajtje prej goditjes së dënimit dhe nëpërmjet pritjeve të mrekullueshme të portierit tonë, edhe ne kështu patëm fituar para ca kohe ndaj ekipit norvegjez në Oslo. Për ta nxitur më shumë fantazinë e fitores dhe të kualifikimit, entuziazmi i spektatorëve të shumtë që shoqërojnë edhe jashtë shtetit Kombëtaren tonë, mund të jetë një tjetër argument për të shtuar optimizmin, por edhe këtu jo gjithmonë ëndrrat bëhen realitet, gjë që u pa edhe ndaj sllovenëve, stadiumi i të cilëve ishte i mbushur thuajse vetëm me shqiptarë, e ku megjithatë ne u mundëm, për fat të keq. Edhe pse situata mund të ndryshojë përsëri për të mirë, duke parë që kemi rrëshqitur nga vendi i dytë dhe tashmë renditja në grup nuk është më aq e favorshme, (sepse aq larg sa ç’jemi nga fundi, po aq ndodhemi edhe prej kreut), mund ta përsërisim ndonjë vërejtje që e kemi bërë edhe më parë dhe që mendoj se po të ishte marrë parasysh, ndoshta ekipi nuk do të kishte paraqitur atë vlerë loje plot luhatje, siç ndodhi edhe në ndeshjen e radhës në Lubjanë. Mbi të gjitha, kam parasysh atë grykësi jo shumë të arsyetueshme të trajnerit italian De Biazi për grumbullimin e sa më shumë futbollistëve, ku për çdo ndeshje që zhvillon ai shfaq një mani gjithashtu të çuditshme duke futur në lojë një ose dy debutues!? Dhe ky “eksperiment” i tij duket i pandalshëm që prej dy vjetësh kur ka marrë në dorë drejtimin e kësaj Kombëtareje. Mirë fillimi, sepse i tillë ishte, i domosdoshëm për rinovimin e skuadrës, por të vazhdosh kështu duke pritur e përcjellë lojtarë gjithfarësh prej kategorive të ndryshme kampionatesh e shtetesh dhe duke i pajisur ata me pasaporta shqiptare, sikur të kishim zbuluar me këtë rast parajsën e futbollit, mendoj se nuk i ka shërbyer siç duhet krijimit të një fizionomie të plotë e të qartë të formacionit në fushën e lojës. Edhe në takimin e fundit ndaj Sllovenisë, trajnerit De Biazi me sa duket nuk i kishin mjaftuar ata rreth 50 futbollistë të grumbulluar në ndeshjet e mëparshme, duke përfshirë dhe ato miqësore, por eksperimentoi sërish edhe me ca të tjerë, madje duke i futur dy prej tyre drejt e në fushën e lojës, ku ata natyrisht nuk kishin si të shfaqnin ndonjë gjë të veçantë e të çmuar, sepse nuk po zbrisnin prej qiellit! Kjo mënyrë veprimi që shpesh na sillet si një lloj taktike që fut në rivalitet lojtarët mes njeri-tjetrit, kur teprohet deri në këtë masë ekstreme, ka rrezik të bëjë një efekt ndryshe, që pavarësisht ndonjë deklarate artificiale të ndonjërit, se gjoja po ndihmon në shtimin e shpirtit të garës, përkundrazi, mund të sjellë më shumë pështjellim e paqartësi në ndërtimin e skemave të lojës, që deri më tani, përveç entuziazmit fragmentar, nuk kanë qenë fort bindëse. Mund të kujtojmë për këtë ndeshjen e fundit të luajtur në Lubjanë, ku edhe pse kundërshtari dukej më i brishtë në veprimet për topin e parë, megjithatë, ai dinte si ta kontrollonte e ta përpunonte atë pa u sforcuar, por duke përdorur skema të qarta dhe plot finesë veprimesh, që e bënin lojën tonë të dukej më inferiore, edhe pse rastet për shënim i patëm më të shumta. Me eksperimente të pafundme të këtij lloji e me sajesa letrash frymëzuese të shoqëruara me darka pompoze presidentësh, Brazili për ne duket ende i paarritshëm, si të shkosh në Amerikë pa viza!...
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›