“Për një fjalë goje”- Humori dhe absurdi në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë

Dialogë plot batuta, keqkuptime dhe situata që përshkallëzohen nga një moment në tjetrin shoqëruan mbrëmjen e së dielës në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Komedia “Për një fjalë goje” vendos në qendër të historisë një situatë që nis nga një fjalë e vetme dhe më pas merr një rrjedhë të papritur.
Ngjarjet zhvillohen përmes një sërë përplasjesh dhe situatash absurde, duke krijuar momente humori për publikun. Në skenë u ngjitën aktorët Ledion Zoi, Erli Fortuzi dhe Ledio Lako.
“Mesazhi i shfaqjes është se si dy njerëz të afërt, siç ndodh kudo në botë, zihen për një gjë të vogël, për një fjalë goje. Ky është edhe titulli i veprës, ‘Për një fjalë goje’. Më pas tregohet se si konflikti i tyre arrin deri në përmasa aq të mëdha sa ata përleshen me njëri-tjetrin. Është një vepër që flet për njeriun dhe marrëdhëniet mes njerëzve”, u shpreh Ledio Lako, aktor.
“Është një vepër që flet për njeriun, për marrëdhënien e njeriut me njeriun. Është ajo që hasim çdo ditë në jetën e përditshme, kur për një gjë të vogël, siç tha edhe Ledio, për një fjalë goje, lind një konflikt i madh”, tha Ledion Zoi, aktor.
Ritmi i shfaqjes dhe ndërthurja e humorit me situatat e papritura e mbajtën publikun të përfshirë gjatë gjithë mbrëmjes. Përtej të qeshurave, historia sjell edhe një reflektim mbi peshën që mund të marrë një fjalë në marrëdhëniet mes njerëzve.
Mbrëmja u mbyll mes duartrokitjeve, duke lënë pas një tjetër takim të publikut vlonjat me teatrin dhe komedinë.
/rtsh.al/