E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për poezinë, në kohë barbarësh

Milosh Zhivanoviq është shiptar, në vendin e vet. Bash njashtu siç unë jam shka, në vendin tim. Bashkë jemi ciganë, çifutë, zezakë, yankee, gringo, pedera, të pafe, tradhtarë, frikacakë, e çka jo tjetër, në vendet tona, e kudo e përherë mbi faqen e dheut. Ndoshta kjo është edhe një nga arsyet pse ne në të vërtetë jemi vetëm poetë. Thënë me fjalët që dalin nga shpirti, Zhivanoviqi është një nga ata poetët, të cilit nuk i ha kari për Pushtetin. Pra, për pushtetet: politike e fetare, nacionalizmat, paragjykimet, urrejtjet.

‘Hajde pra Cezar çohu peshë kundër vargjeve të mia të pafajshme’, pat thënë Katuli. (Irascere iterum meis iambis inmerentibus, unice imperator). Bile, le të na lejohet edhe kjo ta themi, ky poet e kishte në qejf ta thoshte se të tillëve do t’ua fuste në b....

Këtë, tekembramja sall këtë, mund ta bëjnë poetët. Këtë e bën edhe poeti Zhivanoviq.

Një hajvan në rrugë

deshi të më vriste

sepse po i përngjakam

një shiptari a pederi.

...............................

Ta q..... këtë kohë barbarësh

kur edhe demokratët duan të më censurojnë.

Barbarët nuk vijnë vetëm nga jashtë që të shkelin në agorën e Kavafisit. Na u desh, me aq dhimbje e trishtim, të mësojmë se barbarët në të vërtetë janë edhe brenda vetë agorave tona. Agora të mbushura pothuajse cep me cep me hajvanë, të gatshëm të të vrasin kur instinkti i tyre kafshëror u thotë se nuk qenke i llojit të tyre, se nuk folkëshe gjuhën e tyre, se nuk i përkitkëshe racës a besimit të tyre, apo se thjesht nuk i paske bindjet, pikëpamjet a vizionet e tyre. E ai instinkt i tyre është gati se i përhershëm. Është pothuajse prore në fuqi, në mënyrën e tij më djallëzore e vdekjeprurëse.

Unë them se Historia është mizore edhe pikërisht për shkak se është dëng me hajvanë të tillë të njohur e të panjohur, të cilët shkaktojnë pareshtur dhjetëra, qindra, mijëra e miliona viktima të pafajshme të njohura e të panjohura. Kudo që e kanë të mundur, në agorat e tyre apo në agorat e të tjerëve. Në agorat e tyre, ngase duan, nga instinkti i tyre kafshëror, që të gjithë të mendojnë, ndjejnë e veprojnë sipas kutit të tyre instinktiv. Në agorat e të tjerëve, ngase duan, nga instinkti i tyre kafshëror, që ata të tjerët, duke i konsideruar inferiorë, të nënshtrohen, të jenë në zotërimin e tyre, ose tamam të asgjësohen.

***

E madhe është paqja mbi faqen e Dheut. Aq hölderlian është ky varg zhivanoviqian sa më bën të rrëqethem nga lumnimi. Dua të them, prirem të mendoj dhe besoj se paqja e vetme mbi këtë faqe të Dheut që ne kemi arritur ta gëzojmë ndonjëherë është poezia. Me fjalë të tjera, qëndrimet dhe botëkuptimet tona humane, angazhimet tona njerëzore e poetike për mirëkuptim, respekt, tolerancë dhe dashuri. Poezia është paqe, s’do mend, të paktën për ata që e duan. Andaj, zor të ketë paqe më të madhe se ajo mbi faqen e dheut.

Përtej këtyre gjërave që i thashë, mëkati im është në atë që nuk arrij ta them dot për poezinë kaq të mrekullueshme të këtij poeti. E duke qenë se kjo poezi do të flasë vetë, besoj të jem i falur. Nëse e mbaj mend mirë, një mori poetësh kanë thënë, thonë e do të thonë: Kështu (duhej të) ishte, kështu është, e kështu do të jetë!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›