E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për shqipen në Leiden

Qendra e Gjuhësisë në Universitetin Leiden (Holandë), në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Hagë, organizon simpoziumin "Gjuha dhe Kultura Shqiptare: 100 Vjet Pavarësi", i cili mbahet më 9 dhe 10 nëntor.

Sipas organizatorëve, ngjarja kulturore, e frymëzuar nga 100-vjetori i pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, ka për qëllim rritjen e njohurive dhe të interesimit të publikut, të studentëve dhe akademikëve holandezë, dhe më gjerë për gjuhën, traditat dhe kulturën shqiptare, si dhe nxitjen e hulumtimeve të mëtejshme në fushën e albanologjisë.

Në sallën e Universitetit Leiden, më 9 nëntor shfaqet filmi "Falja e Gjakut", i cili ka arritur sukses të madh në skenën filmike shqiptare dhe ndërkombëtare. Filmi është përzgjedhur për shkak se trajton një temë të rëndësishme të jetës shqiptare sot, por edhe për shkak se lidhet thellë me traditën kulturore e shoqërore të shqiptarëve ndër shekuj. Trajtimi bashkëkohor dhe shumë njerëzor i dramës së hakmarrjes në Shqipëri e bën këtë film një pasqyrim të përshtatshëm të një ane të realitetit shqiptar, e cila qëndron larg idealizimeve apo entuziazmimeve politike e mediale, dhe që nxit debat të vërtetë për njërën nga sfidat kryesore me të cilën duhet të përballen shqiptarët edhe në këtë përvjetor.

Ndërkaq, më 10 nëntor, po ashtu në hapësirat e Universitetit Leiden, mbahet simpoziumi "Gjuha dhe Traditat Shqiptare: 100 vjet pavarësi". Ekspertë të gjuhës, historisë dhe traditave shqiptare e ballkanike do të mbajnë kumtesa mbi origjinën gjuhësore të shqiptarëve dhe mbi figurat interesante historike e letrare të Shqipërisë. Folësit do të ofrojnë edhe analiza për traditat dhe praktikat kulturore shqiptare, por edhe për sfidat dhe arritjet në ditët e sotme. Në mesin e folësve pjesëmarrës, vlen të përmenden historiani dhe gjuhëtari Robert Elsie; akademiku i gjuhëve indoevropiane në Universitetin Leiden, Michiel De Vaan; ligjëruesja e Fakultetit Juridik në Universitetin Leiden, Darinka Piqani; akademiku dhe përkthyesi i letërsisë shqipe në holandisht, Roel Schuyt; dhe ballkanologu nga Universiteti i Gentit (Belgjikë)

Raymond Detrez.

Kumtesat do të shoqërohen me pika muzikore luajtur të dy artisteve shqiptare që jetojnë e punojnë në Holandë, Mirsa Adami (pianiste në Konservatorin e Amsterdamit) dhe Adelina Hasani (violiniste e parë në Het Brabants Orkest).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›