E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për të mirën e përbashkët

Kujtim Çashkut në 60-vjetor/ Sot, në distancë 20-vjeçare nga kohët që përshkruan "Kolonel Bunkeri", vërej se nuk kemi film më të mirë nga koha e "tranzicionit" për kohën e diktaturës. Duket se kjo vepër është kulmi i karrierës së Kujtim Çashkut si regjisor


Agim Qirjaqi, i saktë, dramatik, i thellë dhe i besueshëm. Di të dashurojë, të bindet ndaj eprorëve symbyllurazi, të vuajë, të bluajë me vete, të shpërthejë dhe të vdesë. Rrallëherë e kam parë mjeshtrin tonë të teatrit dhe filmit kaq lart.


Anna Nehrebecka - trup i hajthëm, fytyrë e mençur dhe e bukur, sidomos dinjitet që e bën të bukur në çdo moshë. Janë vërtet shumë polake si ajo? Kështu thonë, vetë nuk kam qenë ndonjëherë në Poloni.

Edhe ajo di të vuajë, shumë madje (s'është çudi nga vendi që vjen), por edhe ta mbushë shtëpinë me dashuri dhe t'i japë burrit gjysmën që i mungon, në qoftë kështu e pamundur në jetë të paktën është e besueshme në film.


Çun Lajçi aktor kosovar me peshë, në rolin e hierarkut ushtarak me këmishë kineze të Revolucionit kulturor, gati i frikshëm.


Sidoqoftë jo aq i frikshëm sa hierarkët e mëdhenj të udhëheqjes komuniste me palltot e tyre të zeza, të shumueshëm në infinit, korba të zinj që pijnë kafe turke në tribunë, ndërkohë që mbi kolonelin e futur në bunkerin e tij bëhen qitje me top, për të provuar në e ka gjetur ai ose jo përzierjen e duhur të betonarmesë.


Guljem Radoja, rrallë e kam parë aq të vërtetë, dua të them në rolin e një hetuesi mizor komunist - sepse oficerët e shumtë italianë që ka luajtur nuk i kemi njohur.


Po s'di të them sa më pëlqyen në rolet e tyre të vogla Petrit Malaj, Neritan Liçaj, Kadri Roshi - edhe pse pak të vështirë e kishe ta pranoje kryemjeshtrin, le ta quajmë bektashi si tip, në rolin e një prifti katolik.
Kamera, drita, atmosfera - një mrekulli.


Të japin së bashku edhe vatrën e ngrohtë familjare, edhe bukurinë e rrallë të bregdetit tonë - dua të them atë që s'është më ose atë që është me fasho mbi njërin sy - edhe ankthin që ngjallin kuadratet ushtarake, kënetat e fshatrave të internimit, burgjet dhe minierat e kromit, gropat e pushkatimit, edhe poezinë e ujit ku tretet në fund koloneli duke marrë me vete aty qindra dhe mijëra fate si i veti.


Kur pashë apartamentin ku banonte Koloneli, e njoha menjëherë. Po po, arredimi, gjysmë-muzgu, antikat, fotografitë e vjetra të varura nëpër mure, shumë të njohura. Ku i kisha parë? Ah po te një apartament privat dhe te dhomat e një shkolle filmi.


Montazhi, me ritëm, shpesh kalime të papritura që arrijnë dhe ato efekte të forta, siç është kalimi nga një skenë dashurie mes bashkëshortëve te koloneli i gjakosur, teksa e torturojnë në qeli.


Muzika, në harmoni me gjithë pjesën tjetër, nga ata pjesëtarë të korit të përgjithshëm që nuk dëgjohen pikërisht pse janë në harmoni. Pianisten që luante realisht nën gishtat e polakes, nuk e vura re si emër, por derisa dhe ajo piano ishte aq bukur në shpirtin e së tërës, duhet të kenë qenë e Nora Çashkut.


Subjekti, me skena e sekuenca që të trondisin: si marrja e urdhrit në Komitetin Qendror për ngritjen e bunkerëve, shpallja e urdhrit në Akademinë Ushtarake, ardhja e një miniature bunker në shtëpi, shënjestrimi i bunkerit që thamë, torturimi i kolonelit në arkivol, pushkatimi i tre gjeneralëve deri te mbyllja me mbytjen në liqen.


Pastaj skena të tepërta e letrareske, të paktën për shijen time, si vrasja e dy të rinjve në një bunker, zgjatjet pas largimit të Anës për në Poloni, revolta në burg me varrimin e alias Elvis Preslit etj. - filmi mund të kishte bërë edhe pa këto. Por edhe ky është Kujtimi.


Po, Kujtim Çashku, regjisori i këtij filmi që quhet "Kolonel Bunker" dhe që është shfaqur premierë në vitin 1996, regjisori që arriti më të mirën nga Agim Qirjaqi, Guljem Radoja, Petrit Malaj ndoshta dhe nga Anna Nehrebecka, ai është mjeshtri që e përdor dritën si në pikturat e Rilindjes së vonë italiane ose spanjolle - dua të them Caravaggio ose Velasquez ose El Greco, që e rrëshqet kamerën duke ta dhënë çerekun e Shqipërisë ose kuadratet e bunkerëndërtuesve pa asnjë vështirësi brenda disa sekondash në pëllëmbë të dorës. Por sidomos regjisori që jep të vërtetën historike përmes personazhit dhe mjeshtërisë së filmit.


Nuk arrita ta shoh "Kolonel Bunkerin" në kohën e tij, dhe e pashë vetëm dje. Jo vetëm pse ato vite jetova jashtë, por edhe pse dashakëqinjtë, kritizerët e përjetshëm të shoqërisë sonë, për çudi miq të përbashkët të mitë e të Kujtimit, ma shanë keqas këtë film. Sot, në distancë 20-vjeçare nga kohët që përshkruan "Kolonel Bunkeri", vërej se nuk kemi film më të mirë nga koha e "tranzicionit" për kohën e diktaturës.


Edhe pas 20, edhe pas 40 vjetësh kritizerët nuk do të gjejnë film më të mirë e më autentik për Shqipërinë socialiste. Skena të tepërta, teprimi me poezinë? Dëshira për të thënë sa më shumë? Punë e madhe. Sepse edhe ky është Kujtimi.
"Kolonel Bunkeri" duket është kulmi i karrierës së Kujtim Çashkut si regjisor. Po pse nuk xhiroi edhe në vitet në vazhdim ose xhiroi shumë pak?


Përse i hyri ngritjes së një shkolle filmi, të cilën duan t'ia prishin vetëm pse e ka bërë të bukur, përse po rropatet ditë e natë me shkresa, gjyqe, burokratë e policë, në vend që të vazhdonte me kamerën? Me të s'kam folur ndonjëherë për këtë temë, por përgjigja duket e thjeshtë: ne nuk kemi as potencial, as treg që të prodhojmë filma.


Por kryesorja nuk kemi shpirtin dhe horizontin që të ndihmojmë regjisorët që do t'i kishin bërë vërtet nder Shqipërisë. Kështu që tek e fundit paratë ndahen në klane të vogla dhe filmat që dalin janë jo-relevantë për jetën tonë kulturore.


Duket, prandaj ka dashur të thotë aq shumë regjisori në një film si "Kolonel Bunkeri", meqë iu akordua buxheti i nevojshëm dhe e parandiente se nuk do t'i kthehej më dot asaj kohe.


Më bëri përshtypje dje në sallën e kinemasë së Arkivit Qendror të Filmit që përveç të rinjve, nuk kishte ardhur asnjë nga kolegët e filmit a të artit në përgjithësi, megjithëse njoftimi ishte dhënë disa herë në gazetë. Edhe kjo flet vetë, sepse ne mblidhemi mizëri, fjala vjen kur vdes një emër i madh i artit, kortezhe pa fund te Opera ose TK ose GKA por nuk vimë ta urojmë e t'i japim zemër artistit të bëjë më tej sa është gjallë.


Edhe kjo shenjë e mirë për Kujtimin, që gjallë që ç'ke me të, në kulm të energjive të tij, e duan por edhe ia kanë xhelozinë, në një 60-vjetor që mund të ngatërrohej fare lehtë me 50-vjetor.


Pak e çuditshme të uroj një mik të prej viteve '84-85, me një recension të vitit 2010 për një film që ka dalë më 1996. Por ja që qëlloi që ai sot e ka datëlindjen, kështu që sa t'i nis sms ose t'i bëj një vizitë skematike në shtëpi, po ia çoj urimin me një vepër të tij për mua, për ne. Për të mirën tonë të përbashkët, sikurse është gjithë vepra dhe puna e Kujtim Çashkut.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›