E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet shënojnë tre viktimat e radhës

SHPEJTËSIA/ Briken Tarolli, Klodian Jaupi dhe Alfred Nerguti humbën jetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm


Në aksidentin e ndodhur në Velipojë drejtuesi humbi kontrollin e mjetit pasi preku një pengesë për shpejtësinë

Rritja e gjobave nuk e ka ulur shpejtësinë e qarkullimit të mjeteve dhe as numrin e aksidenteve. Tre të vdekur është bilanci i tre aksidenteve të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që në të tre rastet shkak ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën udhëtonin mjetet.
Aksidenti më tragjik ka qenë ai i ndodhur në aksin Shkodër-Velipojë rreth orës 03:00 të mëngjesit. Mjeti tip Alfa Romeo me targa të huaja BB540YLAN, me drejtues shtetasin Briken Tarolli, 24 vjeç, banues në Tiranë, ka dalë nga rruga dhe është rrotulluar disa herë.


Si pasojë e këtij aksidenti ka gjetur vdekjen vetë drejtuesi i mjetit dhe janë dëmtuar shtetasit Odeta Badina, 22 vjeçe, bashkëshorte e tij, Llazar Popoviç, 24 vjeç, banues në Shkodër dhe Enkelejda Gropçaj, 20 vjeçe, banuese në Bajzë, Malësi e Madhe, edhe këta bashkëshortë.


Mësohet se Llazari e Enkelejda janë emigrantë në SHBA dhe pasi janë martuar atje, të dielën e kaluar kanë bërë dhe dasmën në Shkodër. Tre shtetasit e dëmtuar ndodhen në spitalin rajonal Shkodër jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, dy çiftet kanë qenë një ditë më parë në plazhin e Velipojës dhe kanë dëfryer deri vonë.


Rrugës së kthimit për në Shkodër, mjeti që mendohet se ka qenë duke lëvizur me shpejtësi, ka ndeshur në një prej pengesave të vendosura në rrugë për të kufizuar shpejtësinë dhe pas devijimit, është rrokullisur disa herë e është përplasur tek disa gurë jashtë rrugës. Kjo ka rezultuar fatale për drejtuesin e mjetit.


Ndërsa rreth orës 01:00 të mëngjesit, ka gjetur vdekjen 31-vjeçari Klodian Jaupi. Policia e Durrësit ka arrestuar shtetasin Ilir Kokaj, 27 vjeç, banor i lagjes 6 të qytetit. Arrestimi është kryer në orën 10:30.


Sipas policisë, i prangosur duke udhëtuar me mjetin e tij me targë DR 2459 B ka aksidentuar 31-vjeçarin Jaupi, teksa ky po udhëtonte me motoçikletën tip "Suzuki" me targë BD 02257. Ngjarja ndodhi në segmentin rrugor Muzeu i Dëshmorëve - Gjykata e Rrethit. Në vendngjarje u kryen veprimet e para hetimore dhe ndaj Kokaj u ngrit akuza e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".


Ndërsa një 25-vjeçar nga fshati Gjegjan i rrethit të Kukësit ka humbur jetën. Alfred Nerguti ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip "Benz" në drejtim të Kukësit. Në vendin e quajtur Fushorja e ish-Uzinës së Bakrit, automjeti ka dalë nga rruga duke u përplasur me objektet në anë të saj. Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i automjetit Alfred Nerguti.


Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes ku ka arritur në përfundimin se aksidenti ka ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesit të automjetit për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara. Është hera e tretë që brenda tre muajsh në të njëjtin vend janë regjistruar aksidente automobilistike me pasojë të vdekur e të plagosur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›