Për të mos u mashtruar nga pseudopatrioti Spahiu
Orgen Hasanbega/Qytetar
-Ethet elektorale kanë mbërthyer të madh e të vogël. Ata që merren dhe ata që nuk merren me politikë. Takime dhe fjalime të ndryshme nga parti të ndryshme, të njohura e të panjohura. Madje nuk munguan të shtohen as parti të reja, për të mos mjaftuar me ato dhjetëra që ekzistojnë. Një prej tyre është edhe Aleanca Kuq e Zi,e cila hyri vrullshëm në opinionin publik. Ajo ka karakter nacionalist, patriotik. Themeluesi i kësaj partie do të ishte një funksionar i lartë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Kreshnik Spahiu, një emër i padëgjuar në lëmin e patriotizmit, do të gdhihej një dite patriot i zjarrtë. Kjo lëvizje-parti do të tërhiqte vëmendjen e shumë njerëzve, sidomos emigrantëve, të cilët kur shihnin flamujt kombëtarë dhe këtë parti me emrin kuq e zi,besoj se kishin një arsye më shumë për t'ju bashkuar. Unë personalisht kam patur një eksperiencë personale, e cila më shtyu të bëj këtë shkrim. Qysh prej fillimit, kam qenë skeptik për këtë patriotizëm të zjarrtë. Në kohën kur z. Spahiu ka qenë Nënkryetar i KLD-së, në vitin 2008, unë së bashku me një shok kam qenë në një gjyq të sajuar, ku akuzoheshim për "organizim të protestave të paligjshme". Po ku dhe pse? Ne organizuam një protestë në fshatin Toç të Tepelenës me rreth 150veta, kundër veprimtarive antishqiptare të Spiro Kserës dhe Vasil Bollanos. Ai gjyq mori përmasa kombëtare për shkak të çështjes dhe "krimit" që kishim bërë. Të mbrosh identitetin kombëtar dhe të përballesh me gjykatën e vendit tënd, kjo nuk ishte parë. Lajmi mori dhenë që në Tepelenë po dënoheshin dy djem, të cilët kishin mbrojtur identitetin kombëtar. I vetmi që nuk paska dëgjuar gjë paska qenë ky patriot, i cili me pozitën që kishte mund të shpaloste patriotizmin me kohë. Me sa u duk pas gjyqit, gjyqtari i çështjes u transferua nga Gjirokastra në Tiranë dhe këto lëvizje kush mund t’i bënte tjetër veç KLD-së. Për këtë arsye isha dhe jam skeptik për vazhdimësinë e kësaj lëvizjeje, sepse njeriu lind patriot, nuk bëhet 40 ose 50 vjet pasi ka lindur. Patriotizmi është në gjak, në inde, në qelizat e trupit. Gjithkush prej nesh, kudo qoftë, në punë, pa punë, në emigrim, mund të reflektojë patriotizëm në sjellje, apo veprime të përditshme spontane. Jo nga ato sjellje të shtirura e të inskenuara për interesa të ulëta vetjake e politike. Të përdorësh Flamurin Kombëtar për këto interesa, është një ofendim i rëndë për Flamurin e kombin tonë. Të përdorësh çështjet kombëtare si çështja “Çame”, për këto interesa, është njësoj sikur i ke rivrarë ato viktimat e spastrimit etnik në Çamëri. Me dashje apo pa dashje, këta pseudopatriotë ja çjerrin maskën vetes së tyre, ashtu siç po ndodh në këto ditët e fundit, ku akuzohen për matrapazllëqe të ndyra për përfaqësimin në politikë. Kështu që unë jam i bindur se shqiptarët nuk do të gënjehen për t'i votuar!