Për tre muaj, mbi 250 raste të prekura nga sëmundjet malinje

Në tremujorin e parë të këtij viti, janë regjistruar mbi 250 raste të reja të prekura nga sëmundjet malinje. Ekspertë shëndetësorë thonë se në mungesë të statistikave për vitet e shkuara, e kanë të vështirë të krahasojnë nëse është rritur apo jo numri i të sëmurëve. Ndryshe terapia adekuate në Institutin e Onkologjisë, nuk mungon.
Instituti Onkologjik ka nisur të mbajë regjistër për pacientët të cilët diagnostikohen me sëmundjen e kancerit. Për tre mujorin e parë të këtij viti janë identifikuar mbi 250 raste të reja. Këtë e konfirmon edhe drejtori i Institutit të Onkologjisë, Behxhet Osmani
“Numri i pacientëve d.m.th raste të reja i të sëmurëve me kancer në Institutin Onkologjik është 264. Nëse e llogarisim 300 persona ka katër herë ( 300 x 4) atëherë del që në fund të vitit do ta kemi numrin prej 1 mijë deri në 1 mijë e 200 persona raste”, tha Osmani për Radio Kosovën.
Fakti se çdo ditë identifikohen raste të reja, dëshmon edhe familjari i një pacienti nga Malisheva.
“Po tash një sëmundje e ka, e ka prej kancerit e tash me terapi çdo tre javë kam me e pru në kontroll. Tash nuk e di sa përmirësohet puna e tij. Për momentin është këtu tu e marr terapinë e më vonë nuk e di çfarë bëhet”, tha ai.
Një tjetër pacientë, rreth të njëzetave, shpjegon se terapinë për trajtimin e sëmundjes e merr në Institutin e Onkologjisë.
“Unë vij që një muaj e gjysmë, i kam tre cikle. Tash e kam ciklin e dytë jam duke e kryer. Në përgjithësi çfarë janë kushtet ne mjekësi, këtu mundem me than është diçka më mirë prej tjerave” , theksoi pacienti.
Ndryshe Drejtori i Onkologjisë, Behxhet Osmani tha se nga protokolli i pacientëve të prekur nga sëmundja e kancerit i cili po bëhet për herë të parë këtë vit, priten të bëhen analiza më të thella të cilat tregojnë se nga cila komuna janë rastet më të shpeshta. /Indeksonline/