E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Përafrimi i legjislacionit me BE, Dhuka: Përkthimi i 200 mijë faqeve me AI në 7 muaj, Kroacisë iu deshën 7 vjet

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka u shpreh sot, se “ekipi negociator dhe institucionet punojnë me objektiv të qartë, arritjen e kritereve për anëtarësim në BE brenda kësaj dekade”.

E pranishme në prezantimin e modulit AI të zhvilluar brenda platformës së integrimit evropian dhe anëtarësimit, e cila përdoret çdo ditë nga më tepër se 1400 ekspertë integrimi që u mbajt sot në Tiranë me pjesëmarrjen e Kryeministri Edi Rama, Dhuka vuri në dukje se, “synimi ynë është bashkë me Komisionin Europian të mbyllim 36 kapitujt deri në fund të vitit 2027”.

Dhuka tha se, “ky objektiv është sfidë që kërkon inovacion, kapërcimin teknologjik për të cilin të gjitha institucionet tona po trajnohen për ta përdorur. Moduli AI është ndihmë e madhe për të avancuar me negociatat. 10 kapituj i çelëm në dy muajt e fundit 2024 dhe përgatitemi të çelim këtë pranverë negociatat edhe për 17 kapituj të tjerë të ekonomisë dhe mirëqënies”.

Ajo vuri në dukje se, Shqipëria i çeli negociatat teknike për Themeloret, baza të shtetit europian më 15 tetor 2024.

“Po ashtu në dhjetor hapëm për grupkapitullin për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë. Në 29 janar morëm letrën se i kemi plotësuar kushtet për të avancuar me fazën tjetër të negociatave për çeljen e tregut të brendshëm me 9 kapituj dhe dje morëm letrën e Presidencës Polake që konfirmon se kemi plotësuar kushtet për të avancuar me fazën tjetër të negociatave edhe me 8 kapituj të tjerë”, tha Dhuka.

Dhuka tha se “po punojmë fort për mbajtjen së shpejti të Konferencës së katërt ndërqeveritare, për të çelur negociatat për kapitujt e ekonomisë, tregut dhe mirëqenies”.

Ajo shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e institucioneve, bizneseve dhe vendet e BE-së për mbështetjen e dhënë në arritjen e aspiratës shqiptare pjesë e BE-së.

Dhuka theksoi se, “tani na pret përkthimi i 200 mijë faqeve të qindra ligjeve për të mbyllur negociatat për 27 kapituj. Kroacisë ky proces i mori 7 vjet dhe shumë kosto. Ne synojmë ta mbyllim në 7 muajt që vijnë, brenda këtij viti duke përdorur mjetin teknologjik që AKSHI na dha këto ditë”.

“Në epokën e digjitalizimit AKSHI do të na sjellë edhe dhe dy risi teknologjike, që lehtësojnë shërbimet për qytetarët dhe bizneset. Së pari është asistenti virtual për bizneset, për futjen e tyre në tregun europian, që do t’i mundësojë bizneseve futjen e tyre në të gjithë trupën e ligjeve europiane që po përkthejmë me modulin e IA. Si dhe do t’i ndihmojë me përgjigje biznesin për pyetje mbi eksportet në vendet e BE, certifikimin europian; mundësitë për investime; si të hapësh një biznes në BE, të aplikosh për fonde nga BE etj”, tha Dhuka.

“Nisma e dytë është asistenti virtual për punonjësit tanë, për administratën publike në  integrimin europian. AI do të na orientojë ne punonjësit e institucioneve me botën e pasur të ligjeve të BE-së me pyetje dhe përgjigje të sakta mbi negociatat kuadrin ligjor etj”, u shpreh Dhuka. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›