E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballë datës 28

Çdo muaj ka datë 28. Edhe shkurti i shkurtër. I vetmi, data 28 e të cilit veçohet, për këtë vit, është qershori. Atë ditë do të jenë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të cilat janë përcaktuar si jetike për Shqipërinë dhe ndarëse të Shqipërisë me të kaluarën.
Qënia e tyre jetike dhe përmbyllëse e peridhës kalimtare, duke e tejkaluar çështjen e pushtetit, lidhet edhe me disa ngjarje të mëdha, të pritshme e mbarëkombëtare, pa asnjë kuptim partiak.
E para: Shqipëria do të futet në NATO, në Samitin e Strasburgut, në fillim të muajit prill. Pas këtij anëtarësimi, të shumëpritur, zgjedhjet me probleme të së shkuarës, as mund të mendohen, as mund të lejohen, as mund të pranohen.
E dyta: Shqipëria, me një rezolutë të njëzëshme të Kuvendit, nxiti parashtrimin e kërkesës, për marrjen e statusit të kandidatit për në Bashkimin Europian. Bashkëshoqëruar, dhe një hap përpara me të, ecën kërkesa për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, me vendet e Shengenit. Ky interes i pazakontë, që përjetohet dendësisht nga shqiptarët, në Shqipëri dhe emigracion, bëhet i arritshëm dhe më i shpejtuar, vetëm me zgjedhje demokratike, të lira e të ndershme, të cilësuara, si të tilla, nga institucionet përkatëse ndërkombëtare.
Të gjitha partitë politike, e ndjejnë fort mirë shtrëngimin e dy nofullave të kësaj dare të pashmangshme. Por, ato kanë edhe joshjen e fortë e tunduese, të “Zërit të Sirenave” - thirrjes së përhershme, Pushtetit.
Treshja PD, PS dhe LSI, vështrojnë drejt 28 qershorit, me qendrime të kundërta me njëra-tjetrën:
PD është shprehur drejtpërdrejt për një mandat të dytë. Ajo ka shpallur se e meriton këtë, duke u mbështetur në reformat e guximshme të kryera, rritjen e dukshme ekonomike, luftën kundër korrupsionit, politikat sociale, investimet e mëdha domethënëse, sidomos në infrastukturë dhe energjetikë, futjen në NATO, përmbushjen e kushteve për heqjen e vizave, marrjen e statusit të kandidatit për në BE.
PS mëton të rikthehet në pushtet, përherë të parë me një tjetër kryetar. Për këtë, gjatë shtegtimit drejt pushtetit, përdor dy rrugë: kritikën kundër qeverisjes, pa pohuar as edhe një arritje, dhe parrullën e “politikës së re”.
LSI, sipas saj, përbën këndin e tretë, të trekëndëshit tripartiak. Ajo ka përsëritur qëllimin, për një fitore të dyfishtë, të njëhershme: ngjitjen në pushtet për herë të parë, dhe, për herë të parë, gjithashtu, marrjen e kryesimit të së majtës. Ambicjen e LSI, për t’i zbritur socialistët, me doemos, në vend të dytë, PS dhe jo vetëm ajo, është kundër për ta besuar, deri dhe si gjendje trikëndore të politikës, pasi këndin ku vetvendoset LSI, ajo nuk e vështron si të njëmendtë. Ky është një mospranim, më shumë i padiskutueshëm se sa i kthyer në luftë politike termash, nga PS. Përplasja mes dy të majtave, socialistëve dhe integruesve, është aq e ashpër sa që, ndarja mes tyre është përvijuar fund e majë. Ajo nuk i jep shpresë as më ndjellamirit, se mund të shkohet në një alenacë parazgjedhore PS - LSI, pa u peshuar më së pari nga zgjedhjet. Është e paparë në pluralizmin tonë, se si, dy parti të majta, përdorin luftën simetrike, zgjedhin të njëjtat mjete, deri edhe partinë në pushtet “ia hedhin” njëra-tjetrës, me akuza ta ashpra për bashkëpunim me të, në mënyrë
që të rrëmbejnë zgjedhës, nga pala kundërshtare. Kulmi i kësaj ishte kepërdorimi i dy ngjarjeve, njëra kushtetuese, tjetra financiare. Ndryshimet kushtetuese, për Kodin e ri Zgjedhor, me miradi (konsensus) të demokratëve dhe socialistëve, në prill të vitit 2008, i përdori për luftë politike LSI kundër PS. Ballafaqimin për buxhetin e bashkisë së Tiranës, gjatë muajit janar-shkurt 2009, ku në një anë ishin demokratët dhe integruesit, e përdori për luftë politike PS kundër LSI. Siç dihet, kryetari i LSI, Ilir Meta iu kundërvu ashpërsisht ndryshimeve kushtetuese. Ato u cilësuan pasojë për partitë e vogla nga “puçi kushtetues” i dy partive kryesore, dhe “Berisha - Rama miq”. I pamjaftuar me kaq, Meta drejtoi grevën e urisë, m’u në sallën e Kuvendit, paksa nën foltore, një renditje paralele me renditjen më sipër të ministrave, diçka e paparë asisoji. Vetëm pak muaj më vonë, kryetari i bashkisë së Tiranës dhe kryetar i PS, Edi Rama dështoi në miratimin e buxhetit bashkiak. Ai akuzoi se kjo nuk ndodhi nga një buxhet i keq, por nga “pakica e bashkuar PD - LSI”. Por, e djathta në pushtet, ka dy përparësi, me vlerë përcaktuese: reformat, rritjen ekonomike, investimet e pazakonta, politikën sociale, futjen në NATO, përparimin e proceseve integruese dhe, një opozitë të përçarë, brenda së cilës lufta politike kryhet për kryesim brenda së majtës, edhe kur ato shpallin me zë të lartë se duan të rikthehen në pushtet. E majta e përplasur keqas, është gjendur edhe në veprim të përbashkët: asnjëra prej tyre, nuk është shfaqur kurrë, diku pranë investimeve të mëdha. Kjo, sepse, PS dhe LSI, kanë frikë, që, ashtu do të kryenin vetvrasje politike, por edhe do t’i jepnin armë shoqja-shoqes, për sulm i të majtës kundër të majtës.
Përballë rri e vështron data 28 qershor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›