E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballja e fqinjëve

Komshinjtë Trepça ’89 dhe Llamkos Kosova do ta hapin të premten xhiron e pestë të Superligës. Mitrovicasit synojnë ta ruajnë pamposhtmërinë, duke e varguar fitoren e radhës. Në anën tjetër, vushtrriasit duan t’u rikthehen rezultateve pozitive, që nënkupton se ata do t’i kënaqte edhe një barazim.

Raiffeisen Superliga e Kosovës rikthehet pas më shumë se një jave pushimi, për shkak të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2014 që i zhvilluan së fundmi përfaqësueset e ndryshme nëpër botë. Kampionati kosovar i futbollit vazhdon me ndeshjet e xhiros së pestë, të cilën e hap dueli ndërmjet Trepçës ’89 dhe Llamkos Kosovës.

Në katër xhirot e para, mitrovicasit nuk e kanë pësuar ende asnjë humbje, duke regjistruar dy fitore dhe dy barazime. Prandaj, ‘Xehetarët’ synojnë ta vazhdojnë serinë e pozitive dhe ta ruajnë pamposhtmërinë edhe pas sfidës me vushtrriasit.

“Normalisht, do të kemi punë me një kundërshtar jashtëzakonisht të fortë, jemi të vetëdijshëm për këtë. Humbja e Vushtrrisë ndaj Dritës nuk do të thotë asgjë, sepse ka një ekip të organizuar jashtëzakonisht mirë dhe janë përforcuar”, tha trajneri i bardh e gjelbërve Gani Sejdiu.

“Janë të gjitha parametrat për t’u zhvilluar një ndeshje e fort dhe interesante, do të jetë një takim mjaft i vështirë. Fitorja, si gjithmonë është objektivi ynë kryesorë. Është atmosferë e mirën ë ekip, çdo gjë flet për fitore, por duhet të jemi syhapur”, vazhdoi Sejdiu, të cilit në këtë takim do t’i mungojë i riu Lorik Maxhuni.

Në anën tjetër, bardh e kaltrit do të tentojnë që ta harrojnë humbjen në shtëpi nga Drita, për t’iu rikthyer rezultateve pozitive. Natyrisht, ata do të ishin të kënaqur edhe me një barazim, ndaj kundërshtarit të fortë që do të kenë përballë.

“Normalisht, kemi besim se mund të dalim mirë nga Mitrovica. Do ta kemi vështirë, sepse Trepça ’89 ka ekip të mirë, me individë të mirë. Gjithmonë kur kanë luajtur këto dy skuadra ka qenë një ndeshje interesante, në të dyja qytetet, dhe nuk është ditur fituesi deri në fund. Lojtarët janë të motivuar maksimalisht dhe do ta kërkojmë një rezultat pozitiv, qoftë ai edhe barazimi”, tha trajneri vushtrrias, Besnik Kollari, i cili do të jetë i hendikepuar me mungesën e mesfushorit Armend Zabërxha.

Raiffeisen Superliga – Xhiro V

E premte

Trepça ’89 – Llamkos Kosova

E shtunë

Liria – Trepça

E diel

Drita – Prishtina

Besa – Ferronikeli

Hysi – Hajvalia

E hënë

Drenica – Vëllaznimi

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 16:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›