E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballja e gjigandëve, Allegri: Vështirë ndaj Barcelonës

Çerekfinalja e Ligës së Kampionëve sjell përballjen e gjigantëve të futbollit evropian, Milan e Barcelona. Rossonerët pretendojnë ta ndërpresin dominimin e fundit të katalunasve në Evropë, kurse Messi me shokë synojnë t`i përsërisin përballjet e fazës së grupeve me kampionin italian.

Dy gjigantët e futbollit evropian ishin takuar edhe në fazën e grupeve me katalunasit që ishin më të suksesshëm, duke i fituar katër pikë ndaj Rossonerëve. Milani synon ta ndërpresë dominimin e ekipit të Pep Guardiolës në futbollin evropian viteve të fundit.

“E presim ndeshjen kundër Barcelonës me qetësi. Jemi mes tetë skuadrave më të mira të Europës dhe kjo gjë nuk ndodhte prej katër vitesh. E dimë që do të jenë takime shumë të vështira, por jo vetëm për ne. Edhe Barcelona do e ketë të vështirë.”

Këto janë fjalët e trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri, në prag të ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve që do t`i vendosë sot  në mbrëmje kuqezinjtë përballë katalanasve në San Siro.

“E dimë forcën e kundërshtarit, por nuk kemi frikë. Duhet të tregojmë në fushë atë që dimë të bëjmë. Nëse nuk ia dalim mbanë do duartrokasim lojtarët e Barcelonës dhe do i urojmë për fitoren”, theksoi trajneri italian.

Nga ana tjetër, trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka respekt të madh për kundërshtarin, i cili është shtatë herë kampion i Evropës. “Është nder të luash kundër Milanit, i cili është ndër skuadrat më të mira në botë. Për t`i arritur synimet tona duhet t`i mposhtim më të fortit”, ka thënë trajneri spanjoll.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›