E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: 20 prilli, dita e Shqipërisë së pastër

Kryeministri Berisha deklaroi sot se çështja e mjedisit mbetet një problem madhor ndërsa shtoi se përpjekjet që janë bërë për mbrojtjen e tij janë të pamjaftueshme. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha kërkoi që 20 prilli të caktohet si dita e Shqipërisë së Pastër.
 

“Unë them se 20 prilli të caktohet si dita e Shqipërisë së pastër ku të dalim sëbashku dhe të pastrojmë qytetin, fshatin, rrugët. Të prekim me dorë mjedisin. Ministria e Mjedisit duhet të marrë të gjitha masat të përcaktojë të gjitha zonat, hartën e ndërhyrjeve dhe administrata shkollat, institucionet, komunitet në mbarë vendin do të angazhohen në këtë ditë për mjedisin” ka theksuar Berisha.

Sipas tij shoqëria civile ka paraqitur një datë tjetër për pastrimin e mjedisit por premtoi se qeveria do ta mbështesë atë në këtë nismë që ka ndërmarrë.

"Shoqëria civile ka përcaktuar një datë tjetër dhe i përshendes dhe u kërkoj të gjitha institucioneve t`i japin mbështetjen totale nismës së tyre, kanë përzgjedhur 9 majin. I garantoj se do kenë vetëm mbështetje se do të jemi realist sikur çdo javë të bëhet ajo ditë nevojë ka ky vend në këtë gjendje që e kemi katandisur të gjithë” shtoi më tej kryeministri.

Gjithashtu Berisha ka kërkuar forcim të ligjit për mbajtjen pastër të vendit, ndëshkim të ndotësve dhe vëmendje e madhe ndaj mbledhjes së taksës së pastrimit, si më e rëndësishmja që duhet mbledhur. Sipas tij, vendorët të bëjnë gjithçka për mbledhjen e saj se mjedisi nuk mund të mbahet pa resurset financiare të domosdoshme dhe rezulton se kjo taksë është fare e ulët.

“Nuk mund të lejojmë që Shqipëria të paraqitet si një vend zhuli e plehrash. Nesër do takohem me prefektët e vendit, autoritetet e ministrisë së mjedisit për të marrë një seri hapash të reja në përcaktimin e vendeve të depozitimit të mbetjeve. Janë në ndërtim e sipër një seri landfilesh dhe impiantesh të ujërave të zeza, punimet e të cilave duhet të shpejtohen” theksoi Berisha.

Kryeministri Berisha kërkoi gjithashtu që të shtyhet afati i regjistrimit të banesave deri më datën 31 gusht.  Sipas tij kjo kërkesë bëhet e domosdoshme si pasojë e fluksit të madh në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme si dhe nga interesi shumë i madh i qytetarëve.

“Gjatë dy javë të fundit ka radhë të mëdha në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe janë 800 aplikime në ditë, shifër kjo që është e papërballueshme. Unë mendoj që Ministria e Financave vetëm për banesat ta zgjasë afatin deri me datën 31 gusht në mënyrë që edhe emigrantët që vijnë të kenë mundësi të legalizojnë banesat e tyre” ka shtuar më tej Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›