E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçarja në PD, ja deputetët kundër Lulzim Bashës

247795_10151641890987631_1963876286_nHumbja e thellë e Partisë Demokratike në 23 qershor ishte vetëm prologu i asaj që do të ndodhte më vonë. Pas tetë vitesh në pushtet, partia më e madhe e së djathtës krijoi në gjirin e saj një numër të madh klanesh që shpërthyen pas 22 korrikut. Pikërisht pas ditës ku 41 mijë demokratë zgjodhën kryetarin e tyre të ri. Por kjo garë që duhej të ishte fillimi i një ringritje për demokratët, nxori në sipërfaqe klanet e kësaj partie. Deklaratat në media dhe në rrjetet sociale të drejtuesve të kësaj force politike janë shprehje e pakënaqësisë ndaj kryetarit të ri të partisë apo në rastin më të mirë ndaj procesit që u zhvillua për zgjedhjen e tij. Dy klanet, tashmë thuajse të zyrtarizuar brenda PD-së, janë në konflikt mes tyre edhe sa i takon përgjegjësisë së humbjes së thellë të zgjedhjeve parlamentare. Kryetari i ri, Basha ka deklaruar se analiza do i shërbejë reflektimit të demokratëve në raport me votën ndëshkuese të shqiptarëve. Kjo do të thotë se një pjesë e mirë e atyre që deri dje kanë qenë në pozita të larta administrative brenda PD, por edhe në poste shtetërore në qeverinë Berisha 1 dhe Berisha 2, do e gjejnë veten në listën e fajtorëve të dështimi të madh të 23 qershorit. Sikurse, brenda PD-së sot ka edhe një përplasje pragmatiste. Grupi i të vjetërve zor se do pranojë të jetë në shërbim të formacionit të ri të Lulzim Bashës. Kjo, nisur edhe deklaratat e Berishës se PD është dhe mbetet parti e të rinjve…
Përplasjet
E ndërsa gjatë fushatës së Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit, palët e ruajtën paktin e mossulmimit mes njëri-tjetrit, por gjithçka ndryshoi ditën e daljes së rezultatit. Fillimisht ishte vetë Sokol Olldashi që e cilësoi garën si të deformuar, duke hedhur akuza të shumta në drejtim të lidershipit të PD për një garë të pandershme. E ndërsa dukej se gjithçka do të mbyllej me kaq, ndodh e kundërta. Astrit Patozi në një intervistë për Top-Story hodhi edhe akuza më të rënda se sa Olldashi për garën në PD. Të enjten, nënkryetari i demokratëve, Astrit Patozi tha se ish-kryetari, Sali Berisha gaboi me procesin e 22 korrikut. Të premten, deklaratën e Patozit kryetari i ri i demokratëve, Lulzim Basha e interpretoi si shenjë e lirisë së brendshme të partisë, ndërsa u kujdes të theksonte se ishte zgjedhur nga 41 mijë votuesit demokratë që morën pjesë në proces. Polemikat mes demokratëve në rrjetet sociale kanë shkuar më tej. Elvi Fundo, ish-këshilltari i Ministrit të Financave, Ridvan Bode është përfshirë në një debat me Enkelejd Alibeajn. Fundo flet për proces të manipuluar. Kurse Alibeaj nga ana tjetër deklaronte se askush nuk duhej ta vinte në dyshim përzgjedhjen e Bashës. I fundit në radhë që është përfshirë në këtë polemikë është deputeti Edi Paloka. Në një intervistë mediatike ai ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD-së, ka qenë më i miri i mundshëm. Sipas tij, akuzat e bëra nga ana e nënkryetarit Astrit Patozi, se gara ishte e manipuluar, nuk janë të vërteta. Paloka thotë se Patozi i ka bërë akuzat për shkak se është mik me Olldashin.
Grupi kundër Bashës
Deri tani vetëm Sokol Olldashi (që ishte kandidat në garë) dhe Astrit Patozi kanë qenë ata që kanë dalë kundër zgjedhjes së Lulzim Bashës, duke e quajtur atë si të parazgjedhur dhe duke e cilësuar garën të pandershme. Por është pothuajse një pjesë e mirë e selisë blu që janë kundër Bashës, por edhe mënyrës se si ai u zgjodh. Dhe këtë grupim hyjnë pothuajse të gjithë qëndrestarët. Qëndrestarët janë demokratët e para 2005-ës që mbajtën PD-në të mbijetonte në opozitë dhe e shikojnë Bashën vetëm si përfitues të pushtetit të PD. Aq më tepër që Basha tashmë pritet të ndërmarrë një reformë të thellë në PD duke vënë në postet kryesore të strukturës vetëm mbështetës të tij dhe duke larguar në këtë mënyrë gardën e vjetër.

Grupi kundër Bashës strategji për tu mbrojtur nga hakmarrja
Burime nga PD bëjnë të ditur grupi kundër Bashës do të hartojnë edhe një strategji mbrojtëse për tu mbrojtur kundër hakmarrjes së Bashës ndaj kritikave të tyre. Gjithashtu edhe nga sulmet e Sali Berishës që nuk mund tua falë tyre mënyrën se si e njollosën beniaminin e tyre. Madje sipas të njëjtave burime grupi anti-Basha edhe në Kuvend do të shkojë me një strategji të saj, që nuk do të ketë kundër PD, por nuk do të jetë njësoj si vija zyrtare e partisë.

Topalli shpërfill Bashën, por nuk bashkohet me grupin Olldashi
Një reagim mjaft shpërfillës ndaj kryetarit të ri të PD-së, Lulzim Basha ka mbërritur edhe nga nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli. Topalli hodhi në profilin e saj në Facebook një foto të ish-kryetarit Sali Berisha shoqërua me komentin: Demokratët përjetë me Sali Berishën. Me sa duket Topalli ka lënë të kuptojë kryetarin e ri të PD-së, se pavarësisht fitores në zgjedhje, nuk ka mbështetjen e gjithë demokratëve. Megjithatë Topalli ka vendosur të luajë e vetme tashmë. Olldashi ka qenë ndër deputetët e preferuar të numrit të dy PD-së, por një afrim i këtij para disa vitesh me Bashën, bënë që Topalli të mos ta mbështeste më Olldashin.

Zërat e tjera që do të dalin në media kundër Bashës
Dalja e Astrit Patozit në media ishte vetëm e fillimit. Pritet që edhe eksponentë të tjerë të PD të dalin në media kundër Bashës. Ata po presin analizën e humbjes së PD-së në zgjedhje që do të zhvillohet në muajin gusht. Në këtë analizë do të akuzohet edhe Lulzim Basha si një ndër fajtorët e humbjes, duke qenë se është kryetari bashkisë më të madhe në vend, dhe PD në Tiranë mori një rezultat katastrofik. Ndërkohë përplasja e radhës do të ndodhë kur Basha të emërojë strukturat e reja drejtuese të partisë, dhe ata që do të mbeten jashtë strukturave drejtuese, natyrisht që nuk do ti përmbajnë akuzat… Një verë tepër e nxehtë parashikohet kjo për Partinë Demokratike…

Disa nga personalitetet e PD kundër Bashës
Sokol Olldashi
Astrit Patozi
Ridvan Bode
Igla Cara
Bedri Hoxha
Genc Ruli
Flamur Noka
Mesila Doda
Ilir Rusmali
Fatos Hoxha

Pro Lulzim Bashës
Sali Berisha
-Gerti Bogdani
-Jorida Tabaku
-Arben Imami
-Eduart Selami
-Enkelejd Alibeaj
-Eduart Halimi
-Albana Vokshi
-Gent Strazimiri
-Luçiano Boçi
-Genc Pollo
-Aldo Bumçi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›