Fjalët e fundit të njerëzve të famshëm në shtratin e vdekjes
Nga John Kennedy, Marilyn Monroe, deri tek shqiptarët Gjergj Fishta, Faik Konica, Petro Marko e Teodor Keko
Gazeta Tirana Observer në suplementin e sotëm po boton frazat, fjalët dhe testamentet personaliteteve shqiptarë dhe të huaj përpara vdekjes. Që nga Ismail Qemali, Ali Pashë Tepelena që i prenë kokën në pabesi, tek vëllezërit Frashëri, Nënë Tereza deri tek shkrimtarët e famshëm Gjergj Fishta, Petro Marko e Teodor Keko. Në këtë suplement përfshihen edhe disa nga personalitetet më të mëdhenj të historisë së njerëzimit. Nga John Kennedy, Marilyn Monroe deri tek Ledi Diana. Para se të vdiste presidenti amerikan e kishte diskutuar vdekjen e tij. E fjalët e tij të fundit ishin, Nëse dikush do të më vrasë, do të më vrasë. Një mënyrë për të thënë që vdekja është e pashmangshme e nëse ka për të ardhur do vijë. Fjalët e fundit të njerëzve të famshëm përbëjnë një fond të artë të momentit të fundit edhe për arsyen se reflektojnë mendimet finale në prag të ndërrimit jetë.
Ali Pashë Tepelena
Pashai i Janinës
1741-24 janar 1822
Ali pashë Tepelena, i quajtur ndryshe Luani i Janinës, është një nga figurat më të spikatura në historinë shqiptare. Drejtues i pjesës perëndimore të Rumelisë në Perandorinë Osmane, ai krijoi një nga pashallëqet më të mëdha nën këtë perandori dhe më të pavarura. Epërsia e tij do të krijonte përplasje me Portën e Lartë që ndihej e kërcënuar nga Ali Pasha. Për këtë arsye, sulltani Mahmudi II urdhëron vrasjen e tij. Në librin e Aleksandër Dumas, i cili ka shkruar librin Ali Pasha, ai përshkruan momentin e vdekjes dhe fjalët e fundit të pashait. Ndërsa i dërguari i sulltanit i thotë Ali Pashës ti nënshtrohej fatit, ti lutej zotit dhe profetit. Pashai i Janinës nuk e lë të mbarojë fjalën, por i thotë: Koka ime nuk ulet si kokë skllavi, dhe fillon e lufton. Pasi ishte dëmtuar nga plagë të shumta, duke e parë që fundin e kishte të afërt, Aliu i thotë një prej njerëzve të tij: Vrap, shko, miku im, there Vasiliqinë, që të mos fëlliqet nga poshtërsitë e tyre. Këto ishin fjalët e fundit të Ali Pashës. Më pas xhelatët i mbështetën kokën në një shkallare dhe e goditën dy herë me satër, duke ia ndarë nga trupi.
Sulejman Vokshi
Luftëtar, kryekomandanti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
(1815 – 1890)
Kryekomandanti i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një prej luftëtarëve më të mëdhenj shqiptarë, është një nga personalitetet e Rilindjes Kombëtare, i cili shkriu jo vetëm jetën, por edhe pasurinë e vetë personale për çështjen kombëtare. Në procesverbalet e gjyqit të zhvilluar pas arrestimit të tij dhe Abdyl Frashërit, gjyq, i cili u zhvillua në Kalanë e Prizrenit, dallohet papërkulshmëria e tij ndaj çështjes kombëtare. Ndonëse e dinte se do të dënohej me vdekje, ai qëndroi dinjitoz përballë trupit gjykues, i cili i dha verdiktet sipas porosive që erdhën nga Porta e Lartë. Në fjalët e tij të fundit, pas dhënies së vendimit për dënimin me vdekje, me varje në litar, vihet re një karakter i pathyeshëm dhe i padiskutueshëm. Para trupit gjykues, Sulejman Vokshi deklaroi fjalët e fundit të jetës së tij: Sikur tri jetë të kisha, të tria do ti shkrija për lirinë e atdheut Kjo frazë ka qenë edhe lajtmotivi i shumë ushtarëve të UCK-së.
Naim Frashëri
1900
Si mund të kishte një vdekje ndryshe poeti i Rilindjes, Naim Frashëri? Po aq lirike, romantike dhe padyshim e lidhur me Shqipërinë. I vdekur në vitin 1900, të dhënat na tregojnë se ka vdekur me fjalë në gojë. Dhe mbetet lapidar fraza e tij e fundit përpara se të mbyllte sytë: Jetoni dhe vdisni për Shqipëri. Dhe poeti ynë kombëtar u shua si qiriri për Shqipërinë. Ishin poezitë, poemat dhe skicat e tij që zgjuan popullin shqiptar nga letargjia ku e kishte zhytur perandoria osmane. Por poeti rilindës gërthiti tërë jetën e tij, zgjohu. Dhe kjo fjalë që ishte refren i jetës së tij nuk iu nda nga goja edhe në grahmat e fundit të jetës. Naimi foli po për Shqipërinë, një këshillë që edhe sot e kësaj dite tingëllon interesante dhe mjaft patriotike. Të gjitha dëshmitë vijnë në kohën e sotme nga vëllezërit dhe familja e tij dhe janë shkruar e botuar në shqip.
Ismail Qemali
Kryeministri i parë i Shqipërisë
16 janar 1844-24 janar 1919
Me varrosni në teqenë e Kaninës. Ky ishte amaneti i fundit i Ismail Qemalit, që i kishte lënë të birit pak para se të vdiste, më 24 janar 1919. Ai ndodhej në Itali, ku kishte shkuar për të folur me autoritetet italiane për Konferencën e Paqes që do të zhvillohej në Paris. Por kur mbërriti në Itali e njoftuan se këto autoritete ishin nisur për Paris. I akomoduar në hotelin e përcaktuar, Qemali njoftohet për dëshirën e gazetarëve për një konferencë për shtyp. Pak kohë para se të fillonte konferenca e shtypit, Ismail Qemalit iu servir fillimisht buka, me pretekstin se duhet të hante para konferencës. Pasi hëngri, ai hyri në sallën e rekomanduar, ku e prisnin dhjetëra gazetarë e fotoreporterë të ndryshëm. Sipas rrëfimeve, që djali i Ismail Qemalit, Et’hemi, i ka bërë më vonë kryetarit të bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit, mësohet se sapo hyri në sallë, kreut shqiptar i kaloi një çehre e verdhë në fytyrë. Pas kësaj situate, ai arriti të kërkonte ta shoqëronin për në banjë. Kur arriti aty, e mbyti shkuma që nxirrte nga goja dhe të vjellët. Në pak çaste pulsi i tij pushoi së rrahuri.
Gjergj Fishta
Shkrimtar, klerik, përkthyes
23 tetor 1871- 30 dhjetor 1940
Shkrimtari i madh shqiptar i Lahutës së Malcisë vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Revista MAPO botoi disa vitesh detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë. Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e Lahutës së Malcisë dhe kishte përsëritur fjalën i kryqëzuemi në latinisht. Ai kishte kërkuar ti pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga Gjyqi i fundit. Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për Fe, Atdhe e për Provincën tonë. Ndërkohë Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit. Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje. Ndërsa italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: jo për tjetër, por, sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes.
Faik Konica
15 mars, 1875- 15 dhjetor 1942
Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhet të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë. Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se ti ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti. Nuk më