Përçarja në PD, nisin të dalin kundërshtarët dhe përkrahësit e Bashës
Duket se tashmë në PD ka nisur përçarja dhe eksponentët e saj po ndahen në ata që janë në krah të Lulzim Bashës dhe ata që janë kundër mënyrës së zgjedhjes së tij në krye të PD-së. E në këtë kuadër pas deklaratave të forta të Astrit Patozit kundrejt zgjedhjes së Bashës, dje ka qenë radha e Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit ka dalë pro Bashës, duke deklaruar se askush nuk mund të hedhë hije dyshimi mbi mënyrën e zgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të PD-së. Alibeaj ka thënë se gara për kreun e PD-së mes Lulzim Bashës dhe Sokoll Olldashit ka qenë reale, ndryshe nga sa pretendon Olldashi dhe nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi.
Deklarata
Askush nuk mund të hedhë hije dyshimi për mënyrën demokratike se si u mbajtën zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike, shprehet Alibeaj për Ora Neës. Sipas ish-ministrit demokrat të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gara ishte me rregulla të qarta dhe rezultati 80 me 20 ishte një mesazh i fortë që dhanë demokratët, në përballjen e dy alternativave. Sipas Alibeajt, demokratët vlerësuan jo vetëm kandidatët, por votuan mes atyre që ishin pjesë përbërëse e administratës politike dhe partiake të PD-së dhe që ishin pjesë e përgjegjësisë për humbjen më 23 qershor, si dhe atyre që nuk ishin pjesë e përgjegjësisë dhe që u prezantuan si opsion për ringritjen e demokratëve. Për sa i përket qëndrimit të eksponentëve të lartë në PD për një proces zgjedhor të paracaktuar, duke përfshirë Astrit Patozin dhe kandidatin Sokol Olldashi, Alibeaj thotë se këto pretendime duhet të bazohen në fakte dhe jo në indicie personale. Alibeaj thotë se tashmë është koha që një orë më parë të fillojë puna me ristrukturimin e Partisë Demokratike, në mënyrë që opozita të jetë e strukturuar tërësisht edhe në përballjen me mazhorancën e majtë. Alibeaj u la jashtë listave të kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje nga ana e Sali Berishës, por me këto deklarata duket se kërkon që të fitojë besimin e kryetarit të ri të PD-së, Lulzim Basha.
Topalli nuk njeh ende Bashën si kryetar:
Demokratët, përjetë me Sali Berishën
Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, ka treguar edhe njëherë dje se ajo vazhdo të mos ketë simpati për Lulzim Bashën. Topalli është shprehur dje në Facebook se demokratët do të jenë për jetë me Sali Berishën. Demokratët, përjetë me Sali Berishën, shkruante Topalli në Facebook, ndoshta për ti kujtuar kryetarit të ri, Lulzim Basha, se nuk ka mbështetjen e demokratëve. Kjo, në një kohë kur nënkryetari tjetër i PD-së, Astrit Patozi, lëshoi akuza të ashpra për zgjedhjen e Bashës në krye të PD-së, duke thënë se gara ishte e manipuluar. Topalli nuk është shprehur për këtë çështje, por në të njëjtën kohë nuk e ka uruar ende Lulzim Bashën publikisht.
Këshilltari i Bodes reagon ndaj Alibeajt:
Ja si u deformua procesi në Korçë
Këshilltari për shtyp i Ridvan Bodes, Elvi Fundo, ka reaguar ndaj deklaratave të Enkelejd Alibeajt, ish- eputet dhe ministër i Drejtësisë i PD, i cili mbrojti zgjedhjen e Bashës pas akuzave të Patozit dhe Olldashit. Në përgjigje të tij, këshilltari për shtyp i Bodes shkruan: Një miku kërkon fakte për procesin e deformuar. Ja, po i jap disa: E dua kokëfortë faktin thotë. Po fakti i parë ishte mesazhi Të shporet Elvi Fundo nga Korça se po bën fushatë për Olldashin. Ndërkohë prefektë, drejtorë, sahanlëpirësa të të gjitha llojeve bënin fushatë hapur për Bashën. Kush bënte fushatë për Sokolin ishte armik, për Bashën ska gjë, se ska njeri në Korçë ai. Faktet janë pa fund. Të shpresojmë që 20% e anëtarësisë të dëgjojë dhe besojë edhe ata 80% që nuk votuan apo u hoqën nga listat. PD është dhe do ngelet shtëpia jonë e madhe. Ku të gjithë të kontribuojmë, por edhe ti themi të vërtetat në sy. Të shpresojmë që vërtet do shohim përpara, me shpresë për ndryshim, shprehet Fundo. Më tej Fundo vazhdon: Do them dy detaje dhe me kaq e mbyll. Unë jam me PD dhe shpresoj që këto fakte të shërbejnë vetëm për të vërtetën dhe analizën gjakftohtë që duhet bërë në çdo strukturë. Një komunë mungon totalisht dhe nga 300 anëtarë nuk voton askush. Një komunë, e cila është e babait të përfaqësuesit të Bashës, voton 99.9999 %. Një fshat mungon totalisht, themelues e drejtues në vite mungojnë. Vëzhguesi nga Tirana, përgjegjësi për falsifikimin e listave, ju kërkon anëtarëve hapur të votojnë Bashën. Babai im, anëtar i 92, mungoi në listë, sepse e hoqi me qëllim një kryetar seksioni që erdhi në PD në 2007, pasi se ku ja kishte mbathur ca vite. Tani si drejtor e si servil, heq nga listat kë të mundet.