Basha për akuzat e Patozit: Në PD gjithkush i lirë të flasë
Kryetari i PD: Rama është anti-shtet, do që të zhdukë INSTAT-in
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur në mënyrë diplomatike akuzave të Astrit Patozit për zgjedhjet në selinë blu. “Në Partinë Demokratike, çdokush thotë atë që mendon apo atë që do të thotë. Kjo vlen për anëtarët e thjeshtë të PD, vlen për drejtues, vlen për këdo. Ne jemi dhe mbetemi parti e njerëzve të lirë dhe lirisë së shprehjes së mendimit në çdo kohë dhe për çdo çështje. Për çështjen në fjalë, mbi 41 mijë anëtarë të PD janë shprehur qartë dhe duke dëgjuar vullnetin e tyre,”- tha Basha. Ndërkohë kryetari i PD ka reaguar edhe ndaj deklaratave të kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, ku ky i fundit ka paralajmëruar një ditë më parë se do duhet një ndryshim rrënjësor i funksionimit të Institutit të Statistikave. Basha u shpreh se me këtë lëvizje Rama kërkon të manipulojë të vërtetën dhe të fshehë dështimin e premtimeve piramidale të 23 qershorit. Kryetari i PD tha se forca politike që ai do të drejtojë do të mbrojë çdo institucion ndaj çdo përpjekjeje manipuluese të mazhorancës së re. Qëndrimi i djeshëm (i para dy ditëve) i kryesocialistit edhe njëherë dëshmon një mendësi të vjetër anti-shtet, anti-institucione. Ky është një propozim, për të zhdukur dhe eliminuar një zë të fuqishëm të së vërtetës që është Instituti i Statistikave, zë të cilin opozita e djeshme e ka përdorur sa herë i ka leverdisur. Nuk kemi të bëjmë vetëm me qëndrim me dy standarde, por kemi të bëjmë me një projekt të rrezikshëm anti- shtet, zhdukja e një zëri të besueshëm siç është INSTAT, me qëllim për të manipuluar të vërtetën dhe fshehjen e dështimeve të pritshme dhe mosmbajtjen e premtimeve piramidale të 23 qershorit”, u shpreh Basha. Këto deklarata Basha i bëri gjatë inaugurimit të rrugës “Gramoz Pashko” në Tiranë. Njëkohësisht edhe si kryetar bashkie, Basha u shpreh se investime të tilla do të vazhdojnë në shërbim të komunitetit. Rruga “Gramoz Pashko” do t’ju shërbejë rreth 8 mijë banorëve. Në të është ndërtuar sistemi i kanalizimeve të ujësjellësit , është pastruar kolektori, si dhe ka përfunduar sistemi i ndriçimit. Vlera e investimit kap shifrën e 99.6 milionë lekëve.