E Martë, 3 Nëntor 2026

Përdhunimi i 26-vjeçares në Vlorë, Balla: S’reaguam me vonesë, ngjarja të hetohet plotësisht

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në qytetin e Vlorë ku një 26-vjeçare ka rënë pre e përdhunimit nga tre djem.

Pasi vizitoi të renë në spitalin e Vlorës, Balla theksoi për mediat se policia nuk reagoi me vonesë për këtë ngjarje dhe se dhuna në bazë gjinore në vend duhet të marrë fund.

“E para, nuk është aspak e vërtetë që Policia ka reaguar me vonesë. Emrat i cakton prokuroria. Policia referon gjithçka që ka konstatuar në momentet e para.

Prandaj lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet. Ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë sepse vajza mund të ishte motra jote, motra ime, dhe motra e secilit prej nesh.

Dhuna me bazë seksuale me bazë gjinore është diçka që nuk është e re për shoqërinë tonë, por është krijuar një kulturë pandëshkueshmërie që ju garantoj që do marrë fund”, ka theksuar Balla.

Balla ka bërë apel që të kryhet një hetim i plotë, i paanshëm dhe i pandikuar. Sipas tij, çdo viktimë e dhunës “me bazë gjinore apo dhunës seksuale dua të garantoj që do të merret nga ne në mbrojtje. Për të garantuar edhe ri-integrimin në shoqëri, kam pasur një bisedë shumë të mirë me vajzën. Dhe mezi pres që ajo t’i rikthehet jetës së vet normale”

Ndërkaq, dy persona janë vendosur në pranga dhe kanë dalë para gjykatës e cila i kanë  lënë në burg. Ndërsa i treti është shpallur në kërkim. Gjithashtu policia po punon për kapjen e një tjetër personi, banues në Vlorë, pasi ky i fundit akuzohet për veprën penale “Nxitja për përdorimin e drogës”.

26-vjeçarja u gjet në rrugë pa ndjenja nga një punonjës i hotelit më 22 tetor dhe u dërgua në spital.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›