Përdori gjuhën islamofobe, arrestohet ish-këshilltari i Barack Obamës

Ish-këshilltari i ish-presidentit amerikan Barack Obama për sigurinë kombëtare Stjuard Seldouitz ( Stuard Seldowitz ), është arrestuar pas publikimit të disa videove ku shihet duke përdorur gjuhën islamofobe dhe me plot urrejtje ndaj një punëtori të një lokali që shërbente ushqim të shpejtë në New York.
Seldouitz, 64-vjeç u arrestua nën akuzat paraprake për nxitje të urrejtjes, përndjekje, ngacmim dhe pengim të kryerjes së detyrës, thuhet në raportin e policisë së atij shteti.
Para se të arrestohej, Seldouitz ka konfirmuar për CNN se në videot e publikuara në rrjetet sociale është ai, dhe se shihet duke e ngacmuar shitësin në rrugën Upper East Side në Manhattan. Ai në video përqesh fenë islame, gjithashtu tallet me burrin për shkak të kombësisë së tij, e akuzon se mbështet Hamasin dhe i përmend luftën mes Izraelit dhe Hamasit. Seldouitz shihet në video duke thënë se vrasja e katër mijë fëmijëve palestinezë nuk është e mjaftueshme.
Gazetar Artur Mata
/ rtsh.al /