Përdorimi i telefonit, psikiatrit u kërkojnë prindërve mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve

Përdorimi i tepruar i telefonave nga fëmijët po kthehet në një shqetësim serioz për prindërit dhe specialistët e shëndetit mendor. Psikiatria, Pranvera Alimani thekson se ekspozimi i zgjatur ndaj ekranit ndikon ndjeshëm në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve, duke rritur gjithashtu rrezikun për çrregullime të shëndetit mendor.
“Përpos të gjithë përparësive të mira që ka, ana negative e tyre është ekspozimi i tepruar ndaj përdorimit të teknologjisë, që do të thotë se një fëmijë e izolon dhe nuk e bën social që është elementi kryesor i patologjive që ato shfaqin më vonë. Janë fëmijë që nuk janë aktiv me fëmijët e tjerë, izolohen në botën e tyre”, u shpreh Psikiatria, Pranvera Alimani.
Psikiatria apelon për një bashkëpunim më të ngushtë midis prindërve dhe shkollave për të vendosur kufij të qartë në përdorimin e pajisjeve elektronike, si dhe për të promovuar aktivitete fizike dhe sociale jashtë ekranit.
“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për fëmijët, në mendimin tim si profesioniste e fushës fëmija nuk duhet të ekspozohet as ndaj telefonit por as edhe ndaj televizionit, të paktën deri në moshën 3-4 vjeç por edhe nëse ndodh le të ketë një orar të caktuar”, tha Alimani.
Sipas studimeve të fundit ndërkombëtare, fëmijët që kalojnë më shumë se dy orë në ditë para ekranit janë më të rrezikuar nga çrregullime të shëndetit mendor, krahasuar me ata që përdorin teknologjinë në mënyrë të kufizuar dhe të kontrolluar.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/