Perëndimi Beogradit: Hiqni dorë nga veriu i Kosovës

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të vizitojë Serbinë. Pritet që edhe Merkel ashtu siç bëri kryediplomati i Qeverisë së saj në Prishtinë të përsërisë qëndrimin se integriteti territorial i Kosovës mbetet çështje e padiskutueshme për Gjermaninë.
Diplomatët perëndimorë dhe analistët në Beograd shprehin bindjen se kancelarja gjermane do t`iu kërkojë autoriteteve serbe të heqin dorë nga veriu i Kosovës.
Dhjetë ditë para vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel, në Beograd, ministri i Jashtëm i Qeverisë së saj, Guido Westerwelle, u ka bërë thirrje pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai ka theksuar se integriteti territorial i Kosovës mbetet çështje e padiskutueshme për Gjermaninë.
Diplomatët perëndimorë nuk kanë dyshim se edhe kancelarja gjermane do t`i përsërisë të njëjtin qëndrim presidentit serb, Boris Tadiç, dhe bashkëbiseduesve të tjerë në Beograd, shkruan sot Radio Evropa e Lirë.
Një gjë të tillë e konfirmon edhe deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pak. Sipas saj, Merkel do t`i shpreh serbëve se “është në interesin e Serbisë të vendosë marrëdhënie të mira me Kosovën” dhe se “tensionet nuk bën të përsëriten kurrë”.
E pyetur nëse kancelarja gjermane në Beograd do të deklarohet në mënyrë specifike për kufijtë dhe veriun e Kosovës, Doris Pack, pa dilema, shprehet: Berlini mbështet tërësinë territoriale të Kosovës. “Merkel me siguri nuk do të thotë se Serbia duhet që nesër ta njohë pavarësinë e Kosovës, por me siguri do t`i rekomandojë Tadiçit që të krijojë marrëdhënie më korrekte dhe miqësore me Kosovën”, thotë Pak për Radion Evropa e Lirë.
Shumë analistë në Beograd presin që kancelarja gjermane të bëjë presion të fortë ndaj Serbisë, që ta lërë veriun e Kosovës në duart e autoriteteve kosovare, përkatësisht të tërhiqet plotësisht nga Kosova.