E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Perëndimi shton përpjekjet për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar nga këshilltarët e lartë të udhëheqësve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, qëndrojnë të shtunën më 21 tetor në Kosovë e Serbi. Ata takojnë ndaras dy udhëheqësit e dy vendeve, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të rinisur procesin e dialogut me synim përmirësimin e marrëdhënieve, sidomos pas sulmit të  24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në veri.

“Qëllimi i kësaj vizite është arritja e një përparimi konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë mbështetës të mëdhenj të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të ardhmes evropiane të të gjithë rajonit. Zëdhënësi Stano, tha se BE-ja ka “pritje të qarta nga palët që të vazhdojnë procesin e normalizimit dhe të përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›