Përfaqësues të FRD-së nuk lejohen të takojnë grevistët

Vazhdojnë tensionet përpara çadrave të improvizuara nga ish të përndjekurit, të cilët ndodhen të ngujuar në grevë urie.
Pasditen e sotme polcia në kudër të masave të fundit për ndalimin e vizitave dhe të cdo kontakti me grevistët, ka kthyer mbrapsh disa përfaqësuese të FRD, duke mos i lejuar të vizitojnë ish-të përndjekurit në grevë.
Anëtarja e grupit nismëtar të FRD-së, Edlira Gjoni e konsideroi të patolerueshme bllokadën e policisë, edhe në një ditë humanizmi për të gjthë shqiptarët, në ditën e Lumturimit të Nënë Terezës.
“Donim të bënim sot atë që do të bënte Nënë Tereza, vizitë dhe përkrahje për ata që kanë nevojë.Jo pushim, por humanizëm, policia nuk lejon as humanizmin në emër të asaj që sot festojmë lumturimin. Moslejimi i vizitave te ish-të përndjekurit grevistë është i patolerueshëm” u shpreh ajo.
Greva e urisë së ish të burgosurve politik ka hyrë sot në ditën e saj të 28-të ndërsa ende nuk është dhënë një sinjal nga qeveria për zgjidhjen e situatës.
Koordinatori i grevës, Skënder Tufa më herët i bëri thirrje të gjitha përfaqësive diplomatike që të pranojnë ish të burgosurit që të vazhdojnë grevën në një nga territoret e tyre.
Tufa tha se ka patur presione nga më të ndryshmet, dhe po synohet që kjo grevë të shpërndahet duke përdorur terrorin.