Përfaqësues të dy kompanive franceze i paraqesin Kryeministrit projekt-ide për investime në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti sot, në takim, përfaqësuesit e dy kompanive franceze, kompanisë ALSTOM që operon në fushën e transportit dhe energjisë dhe Grupit EGIS që operon në infrastrukturë. Në takim ishte e pranishme edhe ambasadorja e Francës në Tiranë, zonja Christine Moro.
Ambasadorja Moro i shprehu Kryeministrit konsideratën e saj dhe të përfaqësuesve të biznesit francez për situatën e shëndetshme e të favorshme ekonomike të Shqipërisë për të investuar.
Drejtori për Europën i ALSTOM, zoti Denis Peranic i prezantoi Kryeministrit projekt-ide të kësaj kompanie në lidhje me projektin për ndërtimin e linjës së Tram-it në Tiranë. Këtë projektpropozim ALSTOM e ka përgatitur me kompani partnere turke, e cila mbështet anën financiare. Po kështu, interesi i kësaj kompanie shtrihet edhe në fushën energjetike, me një projektide të përgatitur sëbashku me një kompani kineze, për hidrocentralin e Skavicës, si dhe projektet për të marrë pjesë në tenderin e kaskadës së Vjosës dhe Osumit.
Përfaqësuesit e Grupit EGIS i prezantuan Kryeministrit planin e tyre për të marrë pjesë në projekte infrastrukturore si në atë të mirëmbajtjes së rrugëve si rruga Milot Morinë etj., apo edhe në projekte të tjera që qeveria shqiptare paraqet në vijim. Ata bënë të ditur se gjenden në Shqipëri edhe në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Biznesi Shqiptaro-Francez, të organizuar nga qeveria franceze dhe mbështetur nga institucione shqiptare si AIDA dhe ministri të ndryshme.
Kryeministri i falënderoi për interesin që kanë për Shqipërinë dhe projektidetë e paraqitura, duke i garantuar për mbështetjen e gjithanshme të qeverisë së tij në shumë aspekte dhe në garantimin e transparencës në marrëdhëniet biznes-qeveri.
17/11/2011