Prononcimi i kryeministrit Berisha mbi vizitën zyrtare dhe takimet që po zhvillon në Izrael
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Jeruzalem, Izrael, në një vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit të vendit Benjamin Netanyahu, dha në përfundim të takimeve të zhvilluara deri në mesditë, një intervistë për Televizionin Publik Shqiptar (TVSH), gjatë së cilës bëri një ekspoze të takimeve të rëndësishme të zhvilluara me personalitete të larta izraelite. Kryeministri theksoi se këto takime dhe vizita në tërësi, kanë si qëllim kryesor konsolidimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve dhe kombeve tona. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se krahas bashkëpunimit politik, një rëndësi të veçantë ka edhe bashkëpunimi ekonomik, në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha veçoi si shumë mbresëlënëse në axhendën e kësaj dite, vizitën në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit, në tempullin e malit të Zionit, ku ndodhet Kisha e Varrimit të Shenjtë, një prej vendeve më të shenjta të botës së krishterë. Kryeministri Berisha, sipas traditës la një mesazh tek Muri i Lotëve dhe bëri një shënim përkujtimor. Më pas, kryeministri vizitoi disa prej vendeve më të shenjta, si varrin e Krishtit, kodrën ku u kryqëzua Krishti, Gurin ku u preh Krishti i Kryqëzuar, vendin ku u vendos Shtylla e Kryqëzimit, si dhe përshkroi një sërë vendesh me karakter historik dhe kulturor që datojnë prej mijëra vjetësh.
Duke u shprehur i impresionuar nga kjo vizitë, Kryeministri tha se njohja nga afër me këto thesare historike është frymëzuese për çdo njeri. “Të gjitha misteret dhe sekretet e besimeve të mëdha, të ngjallin një besim të madh, të krijojnë ndjesi të shumta për të shkuarën, por gjithnjë një besim më të madh në të ardhmen.” tha kryeministri.
Në intervistën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Pyetje: Zoti kryeministër, cilat kanë qenë prioritetet, fushat më kryesore të bashkëpunimit, ku ju keni insistuar me autoritetet më të larta të Izraelit?
Kryeministri Berisha: Vizita në Izrael ka si qëllim kryesor një përpjekje të re, të madhe për konsolidimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe kombeve tona. Marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Izraelit janë shumë të mira. Ka patur këto dy vite shkëmbime vizitash të nivelit të lartë dhe një interes shumë të madh nga të dy palët për konsolidimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Në qëllimet e kësaj vizite, krahas bashkëpunimit politik, një rëndësi të veçantë ka bashkëpunimi ekonomik, në të gjitha fushat. Në të këtë kontekst unë dua të falenderoj me shumë mirënjohje mikpritësit e mi, Presidentin Shimon Peres, takimin me të cilin unë fillova vizitën time në shtetin e Izraelit. Në këtë takim Presidenti Peres dëshmoi një interes të veçantë për marrëdhëniet mes dy vendeve tona. E gjeta shumë të informuar. Ai është një mik shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ka vizituar Shqipërinë në ditën e pavarësisë në vitin ‘93 dhe mban një interes të gjallë, të vazhdueshëm mbi zhvillimet, për të cilat ai shprehu një vlerësim të madh.
Presidenti Peres gjithashtu më premtoi se do të inkurajojë qeverinë izraelite për intensifikimin e marrëdhënieve, për nxitjen e tyre, në fushën ekonomike, në fushën e arsimit, në bujqësi dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Pata rastin gjithashtu të ftoj Presidentin e Izraelit të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën Presidenti Peres e priti me kënaqësi të veçantë.
Në darkën që shtroi mbrëmë Zëvendës/kryeministri i Izraelit dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Avigdor Lieberman më dha lajmin shumë të mirë të vendimit që ka marrë ai dhe qeveria e tij për të hapur vitin që vjen ambasadën në Tiranë. Në shumë vende që ishin bërë kërkesat dhe ishin shqyrtuar, Tirana ishte nga ato të paktat kryeqytete, ku qeveria e Izraelit ka vendosur të hapë ambasadën, çka përbën një hap shumë të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.
Mbrëmë, gjatë darkës me Zëvendës/kryeministrin Lieberman, sot në mëngjes, në mëngjesin e punës që pata me Zëvendës/kryeministrin Dan Meidor, në takimin e veçantë që pata me Ministrin e Energjisë dhe të Ujërave diskutuam gjerësisht mbi bashkëpunimin midis dy vendeve, në këto fusha të rëndësishme. Ramë dakord të bëjmë përpjekje të mëdha për të nxitur kompanitë izraelite të marrin pjesë në projektet e energjisë së rinovueshme në Shqipëri. Ka sot kompani izraelite që kanë fituar koncesione të rëndësishme në HEC , por mendoj se potenciali është për koncesione të tjera, sikundër interesi në fushën e energjisë gjeotermike, energjisë solare dhe asaj të erës ishte shumë i madh. Zëvendës/Kryeministri Lieberman, Zëvendës/kryeministri Dan Meridor, Ministri i Energjisë dhe Ujërave Landau më premtuan se ata do të përdorin të gjitha mekanizmat zyrtarë dhe qeveritarë të këtij vendi, për të inkurajuar, për të mbështetur, për të nxitur kompanitë izraelite të cilat duan të investojnë në Shqipëri në fushën e ujërave, në fushën e energjisë, të turizmit dhe në fusha të tjera.
Një takim të përzemërt dhe miqësor pata me Kryetarin e Parlamentit, me të cilin diskutuam gjerësisht për mbështetjen e Knesset-it për marrëdhëniet bilaterale dhe gjeta një vullnet të plotë. Ftova bashkëbiseduesit e mi të vizitojnë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me kënaqësi. Në të gjitha këto takime shprehet një mirënjohje e thellë ndaj qëndrimit të shqiptarëve në momentin më kritik të ekzistencës së kombit hebre, siç ishte Holokausti. Shqiptarët, është tashmë e njohur, ishin në anën e hebrenjve dhe jo të vrasësve, të terroristëve. Në këto takime shprehet një vullnet shumë i qartë që të gjendeshin të gjitha rrugët, në mënyrë që të intensifikohet bashkëpunimi i gjithanshëm midis dy vendeve dhe kombeve tona.
-Çfarë garancish dhatë ju, si drejtues i qeverisë për rritjen e investimeve izraelite në Shqipëri?
Kryeministri Berisha: Shqipëria ka një klime gjithnjë në përmirësim ndaj investimeve dhe investitorëve. Dëshmi e kësaj janë suksesi i disa investitorëve izraelitë që punojnë në Shqipëri dhe që kanë gjetur një klimë të favorshme. Natyrisht qeveria shqiptare qëndron fuqishëm në përputhje me ligjin, në mbështetje të investimeve të huaja direkte të Izraelit dhe të çdo vendi, të cilat janë të mirëpritura.
-Zoti kryeministër, ju shkelët sot në vende të shenjta. A do ti çoni Tiranës politike pak shenjtëri?
Kryeministri Berisha: Sot, në një orë shkëputje nga pjesa zyrtare, unë pata rastin të shoh, të vizitoj gjërat më të shenjta të Krishterimit, të Judaizmit, por edhe gjëra të shenjta të Islamit. Për çdo vizitor, në Jeruzalem besoj se vizita në Malin e Zionit, në tempullin e Malit, në Kishën e Varrimit të Shenjtë është një nga momente më mbresëlënëse.
Sot, siç e patë ju, unë kisha të hapura të gjitha dyert e mistereve dhe sekreteve me të mëdha të besimeve fetare. Siç e patë vizituam edhe shpellën ku ndodhej vendi më i shenjtë i botës së Krishterë, Guri ku u preh trupi i Krishtit të Kryqëzuar. Vizituam kodrën, në të cilën Krishti u kryqëzua, por edhe vendin ku ishte vendosur Shtylla e Kryqëzimit. Në bodrumet e Kishës së Varrimit të Shenjtë patëm fatin të vizitojmë thesaret më të lashta, ku ndër të tjera ishin dhe copëza të Kryqit të Kryqëzimit. Ishte dora, krahu i Shën Madalenës, kafka e Shën Batistit, Guri i themelit të Judaizmit, Gur i cili daton mbi 5 mijë vjet dhe sipas doktrinës fetare të Judaizmit, mbi të është ndërtuar bota.
Ishte një orë frymëzimi të jashtëzakonshëm. Pamë portën, Xhaminë, ngjitur me Kishën e Shenjtë të Varrimit, ku është lutur Omeri, i cili nuk pranoi të futej në Kishë, duke thënë, - “Jo, do të lutem këtu, nuk do të futem në Kishë, përndryshe, Kisha do të shndërrohet në Xhami dhe duhet të mbetet siç është.” Aty ishte një portë, në të cilën Omeri ishte lutur.
Pra vizituam të gjitha misteret dhe sekretet e besimeve të mëdha, të cilat të ngjallin një besim të madh, të krijojnë ndjesi të shumta për të shkuarën, por gjithnjë një besim më të madh në të ardhmen.
21/11/2011