Përfaqësues të lartë të BE-së dhe SHBA-së takojnë krerët e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë , Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë

Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka theksuar rëndësinë jetike të institucioneve të pavarura të drejtësisë për përparimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky theksim erdhi gjatë një takimi të organizuar nga ambasadori, ku morën pjesë krerët e Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD), Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Në takim ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian, Ambasada e SHBA-së, si dhe ambasadorë nga Italia, Austria, Franca dhe Gjermania, duke dëshmuar nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar për çështjet e drejtësisë dhe reformave në Shqipëri.
Ambasadori Vos, nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, nënvizoi se këto institucione luajnë një rol thelbësor në procesin e integrimit, duke kontribuar në zbatimin e reformave, garantimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe forcimin e llogaridhënies.
“Ne organizuam një mëngjes pune me institucionet e drejtësisë shqiptare (ILD, KLGJ dhe KLP) dhe partnerët diplomatikë. Roli i institucioneve të pavarura është thelbësor për avancimin e integrimit në BE përmes zbatimit të reformave, sigurimit të pavarësisë dhe ruajtjes së llogaridhënies.”, shkruan ambasadori në rrjetin social X.
/rtsh.al/