E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësuesja U-16 e Kosovës në turneun "Gaetano Shirea"

Ndeshja ndërmjet përfaqësueses U-16 e Kosovës dhe ekipit të kësaj moshe të Juventusit do të hapë turneun "Gaetano Scirea", që do të zhvillohet në qytetin Matera të Italisë. Kosovarët bëjnë pjesë në grupin A, së bashku me Juventusin, Invikta Matera dhe Honved Budapest. Ndeshja ndërmjet kosovarëve dhe "Zonjës së Vjetër" do të luhet më 31 maj. Takimin e dytë, Kosova do ta zhvillojnë kundër ekipit Honved Budapest më 2 qershor, ndërsa një ditë më vonë do të përballet me ekipin italian Invicta Matera. 16-vjeçarët kosovarë nisen drejt Italisë më 28 maj, ndërsa trajneri Ramiz Krasniqi ka thënë se beson te të përzgjedhurit e tij. "Besoj se ata do ta përfaqësojnë denjësisht Kosovën në këtë turne", deklaroi për gazetën kosovare "Express". Në këtë turne do të marrin pjesë edhe Empoli, Sparta Praga, Bari e Toronto, të cilat bëjnë pjesë në grupin B. Ky turne mbahet në përkujtim të ish-legjendës bardhezi dhe përfaqësueses "axurre", Gaetano Shirea. Përpara udhëtimit përtej Adriatikut, të mërkurën përfaqësuesja U-16 e Kosovës ka zhvilluar edhe një ndeshje miqësore me ekipin e kësaj moshe të Shqipërisë. Përballja, e para ndërkombëtare që pas shpalljes së pavarësisë, ka përfunduar në barazim 1-1.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›