Përfundimi i ultimatumit, pritet riaktivizimi i Brukselit

Negociatat me përmbajtje të fshehtë që po zhvillohen mes dy partive kryesore do të kenë një raund të ri konsultimi në Bruksel. Dështimet e deritanishme nuk kanë shkurajuar aktorët ndërkombëtarë që po mbikëqyrin procesin, të cilët kanë krijuar një ritëm konstant ballafaqimesh derisa zgjidhja të arrihet. Burime nga selia rozë bënë të ditur se në këtë kuadër një takim i radhës pritet të mbahet sërish javën e ardhshme, në të cilin do të shoshiten edhe njëherë variantet që janë shtruar në tavolinë e mbi të cilat ende nuk është gjetur një rrugë e ndërmjetme. Kështu pas kthimit të dy ekspertëve Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi nga Brukseli javën e kaluar, një raund i ri do të zhvillohet vetëm mbi aspektin teknik të çështjes. Në fakt, vetëm dje, negociatat kanë kaluar në një nivel të ri për sa i përket informimit të publikut. Kështu, Kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur se shumica që ai përfaqëson ka bërë një ofertë konkrete për palën socialiste, pavarësisht se sikur u shpreh ai “nuk ka asnjë detyrim ligjor për ta bërë këtë gjë”. Leximi politik i këtij zhvillimi çon në arsyetimin se bisedimet vazhdojnë dhe me gjasë do të vazhdojnë deri në një zgjidhje, e cila edhe aktualisht po kërkohet në një situatë të normalizuar institucionale. Ndërkohë, burimet nga selia rozë kanë bërë të ditur edhe një element tjetër që ka të bëjë me formalitetet protokollare të kompromisit, për të cilin të gjithë shpresojnë, pavarësisht retorikës së ashpër. Nëse drafti final që po kërkohet do të materializohet nga ekspertët, firmosja e tij, do të bëhet nga politika që presupozon një takim të dytë mes kreut të qeverisë, Sali Berisha, dhe atij opozitar, Edi Rama. Thënë ndryshe, kompromisi për transparencën do të prezantohet para publikut në formën e një marrëveshjeje politike mes dy palëve, çka i jep një kredencial suksesi kryetarit të PS. Pika kritike që ende nuk duket se po i jep frymëmarrje zgjidhjes janë fletët e votimit, të cilat për shumicën e Sali Berishës duhet të ndjekin fatin e caktuar nga neni 178, pika 6 e Kodit Zgjedhor; pra asgjësimin. Argumentimi socialist që e kundërshton këtë pretendim lidhet jo vetëm me dyshimet e ngritura deri më tani, por edhe me një problem procedural kur vjen puna për hetimin e procesit të 28 qershorit. Kështu, një këqyrje e materialeve zgjedhore mund të sjellë identifikimin e fakteve dhe shkeljeve të reja ligjore, të cilat legjitimojnë mandej edhe në pikëpamje juridike pretendimin e opozitës për zgjerimin e hetimit. Për më shumë që nëse Komisioni Hetimor do të vihet në njohje të këtyre fakteve, ai ka të drejtën e dorëzimit të dosjes në Prokurori e cila mund të nisë hetimin. Kjo hallkë pritet nëse fletët e votimit asgjësohen, gjë e cila ka krijuar edhe bllokimin e situatës. Gjithsesi, ecejaket e ekspertëve dhe konsultimi i tyre me përfaqësuesit ndërkombëtarë, me zgjatjen kohore dhe me heremtizimin e informacionit dëshmojnë për dilemat juridike që qarkojnë kërkesat e opozitës me argumentimin e shumicës. Si e tillë, oferta e Berishës “jashtë detyrimeve ligjore” sikur edhe tha ai dje, lidhet me faktin e lënies së shumicës në komisionin hetimor së bashku me kryetarin, ç’ka i jep një hapësirë të madhe opozitës, duke konfirmuar vullnetin për kompromis të palës tjetër. Në këndvështrimin politik, opozita është e vendosur të mos e prishë “qetësinë” e negociatave me rifillimin e protestave, pavarësisht se afati i deklaruar si ultimativ ka përfunduar së bashku me karakterin e fortë paralajmërues që PS është përpjekur t’i veshë atij.
#