Ermir Grezda: Shqipëria e varfër në vepra arti
Ka zgjedhur të paraqitet për publikun me një ekspozitë retrospektive, një ekspozitë që do të sjellë në vëmendje vepra që u përkasin 30 viteve krijimtari. Skulptori Ermir Grezda ka çelur dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar një ekspozitë skulpture e pikture, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 10 qershor. Nga vitet ’70 deri në 2010-n, është ky harku kohor të cilit i përkasin 80 veprat e ekspozuara në MHK. Ndoshta nuk janë shumë vepra përfaqësuese kur mendon për vitet që përmblidhen në këtë ekspozitë, por artisti tregon se studioja e tij është e mbushur plot me vepra që nuk e patën fatin të shfaqeshin para publikut. Kështu e ka skulptura, është e madhe në përmasa, e rëndë e kësisoj edhe më e vështirë për t’u zhvendosur. Ndryshe ndodh me pikturën, e cila në këtë aspekt, sipas Grezdës, është më e rehatshme dhe pa shumë andralla.
Skulptori tregon se kjo ekspozitë është e para personale që ka çelur gjatë këtyre 20 viteve të pas komunizmit. Disi i tërhequr, ai tregon se ka përmbledhur vepra që i takojnë periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij, periudha që në fakt ndihen edhe teksa shëtit për t’i parë nga afër. “Kapërcimet janë thellësisht të qarta. Pas viteve ‘90 artisti vjen duke e kristalizuar vetveten në mënyrën e trajtimit artistik, për të gjetur identitetin e tij artistik. Karakteri im impulsiv ndihet dhe është pjesë e veprave që unë kam realizuar në vitet e fundit”, shprehet skulptori Grezda. Por pjesë e kësaj ekspozite janë edhe disa punime në skulpturë, të cilat gjatë viteve të sistemit komunist në vend, ashtu si edhe shumë vepra të tjera të autorëve të ndryshëm u fshehën diku me shpresën se ndoshta një ditë do të shfaqeshin sërish. “Janë një grup veprash, të cilat ishin të dënueshme për sistemin. Ato i përkasin krijimtarisë së viteve ’70. Për vite të tëra i mbajta të fshehura në studio. As që më shkonte në mendje atëherë se do të vinte një ditë kur do të ringjalleshin. Janë të punuara në baltë të pjekur. Unë i futa në furrë dhe ato u rikthyen sërish në jetë. Janë figura të abstraguara, të cilat i realizova gjatë një periudhe liberalizimi që pati në atë kohë”, tregon Ermir Grezda. Më tej ai shpjegon se kësaj ekspozite i janë shtuar skulptura të parkut, vepra me lajtmotivin e dashurisë së nënës për fëmijën, figura të ndryshme që janë me flaut, si edhe figura me elemente të folklorit shqiptar. Ajo çka bie më tepër në sy në skulpturat e këtij artisti është se pjesa më e madhe e tyre nuk është e latuar. Vetë ai e shpjegon këtë me faktin se ato vepra kanë një natyrë mjaft shprehëse, e cila është e lidhur ngushtë edhe me temperamentin dhe ndjesitë e brendshme personale. “Duke qenë se edhe temat e brendshme shpirtërore te artistit përkojnë me shumë subjekte që kanë temën lirike, ato vijnë me një trajtim impulsiv, paska të hedhur, të shpejtë, gjë që e bën edhe më të lirë nga ana artistike formën. Edhe në pikturë ndodh e njëjta gjë”, tregon ai.
Ndërkaq, pjesë e kësaj ekspozite është edhe një instilacion, i cili, siç edhe tregon artisti, nuk është i pari për të. “Unë kam bërë disa punime në inoks e në bakër të skulpturës formale basorelieve ,të cilat janë eksperienca bashkëkohore”, thotë ai. Piktura është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së Ermir Grezdës. Trashëgimi nga i ati, piktori Qamil Grezda, ai e ka ndjekur dhe nuk e ka lënë pas dore. Ai thotë se veç kësaj i është kushtuar mjaft edhe pikturës, të cilën e konsideron po aq të fisme dhe të bukur sa edhe skulptura. Një arsye e fortë fshihet sigurisht pas gjithë kësaj. Skulptura këto kohë është më pak e vlerësuar. është e vështirë për një artist të realizojë vepra që në studio është e vështirë të qëndrojnë. Bashkitë dhe komunat e kanë në dorë këtë gjini nëse do të merrnin vendimin që parqet e sheshet të zbukuroheshin me skulptura. “Në të gjithë artin botëror skulptura realizohet me porosi. Një bocet, i cili mund të jetë shumë interesant për një skulpturë parku ose për një fasadë, porositet nga bashkitë a komunat dhe ato fasada rimarrin një jetë shumëdimensionale. Sot, këto vepra që prodhohen në studio nuk gjejnë terren nëpër parqe, të cilat janë bosh. Në të kaluarën organizoheshin mjaft takime me artistë, ku mendohej për vendin që do të zinte krijimtaria e tyre. Në këto vite lirie shumë pak ndihet interesi për të afruar artistët dhe për t’i vënë ata në shërbim të natyrës. Ne flasim për turizmin kulturor, por ambientet tona, kudo që udhëton nëpër Shqipëri, janë të bukura nga natyra, e të varfra nga veprat e artit”, shprehet Ermir Grezda. Ndërkaq, një tjetër shqetësim i rëndon këtij artisti, që në të vërtetë është i përhershëm edhe për shumë të tjerë: studioja e tij artistike, e mbushur me veprat e Ermirit e dy fëmijëve të tij, si dhe të babait, piktorit Qamil Grezda, po tejmbushet. çfarë do të ndodhë me to?
#