Përfundoi ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në Batllavë

Në kuadër të projekteve të planifikuara për investime në trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Podujevës, këto ditë ka përfunduar ndërtimi i rrjetit të kanalizimit në gjashtë lagje të fshatit Batllavë
Ka përfunduar projekti i ndërtimit të kanalizimit në gjashtë lagje të fshatit Batllavë të komunës së Podujevës. Kështu që banorët e lagjeve Ratkoceri, Vllahiu, Prekoroxha, Boshnjaku, Hyseni dhe Marteti më nuk do të kenë telashe me ujërat e zeza.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Faik Muçiqi, tha se në këto lagje të fshatit Batllavë është ndërtuar rrjeti i kanalizimit në gjatësi prej 3.5 km.
“Me ndërtimin e kanalizimit në këto lagje pothuaj se në tërësi është zgjidhur problemi i trajtimit të ujërave të zeza në këtë fshat. Ndërsa, ashtu siç është planifikuar edhe me kornizën Buxhetore 2014-2016, do të fillojë edhe ndërtimi i kolektorit për trajtimin e ujërave të zeza nga fshati Batllavë deri në fshatin Lluzhan”, tha drejtori Muçiqi.
Drejtori Muçiqi tha se sivjet, deri më tani, janë ndërtuar 33 kilometra kanalizim në qytet dhe fshatra të komunës së Podujevës.
Punët në ndërtimin e kanalizimit në Batllavë i ka kryer kompania “Malësia”, kurse vlera e projektit është 58,500 euro./Indeksonline/