Përfundojnë homazhet, Servet Pëllumbi përcillet për në banesën e fundit

TIRANË, 6 maj/ATSH/ Në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit u zhvilluan sot homazhet shtetërore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.
Gjatë homazheve, që nisën në orën 09:30, morën pjesë Presidenti i Republikës Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, si dhe figura kryesore të Partisë Socialiste ndër vite. Në homazhe morën dhe miq e figura të njohura të jetës publike në vend.
Me mbylljen e homazheve shtetërore, ku mbajtën dhe fjalën e rastit djali i të ndjerit Servet Pëllumbi, Arben Pëllumbi, miku i tij Namik Dokle, si dhe kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama, kortezhi funeral u nis nga TKOB drejt varrezave të Sharrës.
Djali i tij, Arben Pëllumbi shkroi në rrjetet sociale se, profesori siç e thërrisnin të gjithë, ishte një njeri që jetoi me dinjitet, mendim të thellë dhe dashuri të pakushtëzuar për familjen, dijen dhe Shqipërinë. “Për mua ai ishte më shumë se një prind, ishte udhërrëfyes, mësues dhe forca ime morale. Largimi i tij më lë një boshllëk të pazëvendësueshëm, por vepra, fjala dhe shembulli i tij do të jetojnë përherë.
Mirënjohje pa fund që pata fatin ta kem baba”, shkruan Arben Pëllumbi, i cili ka shërbyer për dy mandate si deputet i Partisë Socialiste.
Në një reagim në rrjetet sociale, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Servet Pëllumbit.
“Me hidhërim të thellë mësova mbrëmë vonë për ndarjen nga jeta të prof. Servet Pëllumbit, një figurë e shquar në jetën politike dhe institucionale të vendit, me kontribute shumë të rëndësishme jo vetëm në jetën politike, por edhe akademike.
Për mua ka qenë kënaqësi të bashkëpunoja me të në një periudhë shumë të vështirë të tranzicionit të vendit”, shkruan Ilir Meta.
I njohur si “profesori” në qarqet socialiste, ai ishte një nga figurat më të njohura të politikës dhe mendimit intelektual në Shqipërinë e tranzicionit.
Servet Pëllumbi lindi në vitin 1936 në Korçë. Ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Shën Petersburgut, ku mori titullin Doktor i Shkencave në letërsi. U formua si studiues i filozofisë dhe për shumë vite punoi në universitete dhe institucione shkencore. Gjatë periudhës së regjimit të Enver Hoxhës, ishte pjesë e strukturave akademike dhe ideologjike të kohës.
Me fillimin e ndryshimeve demokratike në vitin 1990, Pëllumbi u emërua nënkryetar i Partisë Socialiste, detyrë që e mbajti deri në vitin 1996. Ai luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e fushatave politike të socialistëve, përfshirë kundërshtimin e referendumit për Kushtetutën, si dhe angazhimin për lirimin e Fatos Nanos.
Pëllumbi mbahet mend si një ndër deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me një kontribut të vazhdueshëm në jetën parlamentare dhe në komisionet kryesore të tij.
Homazhet per Servet Pellumbin. Fotot nga Andrin Hoxha 1 nga 57/a.f/r.e/