E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon "gjyqi i dhjetëvjeçarit"

Ka marrë fund një nga çështjet gjyqësore që sapo kishte nisur në Francë ku përfshiheshin figura të larta të politikës aktuale dhe të së shkuarës. Bëhet fjalë për gjyqin e ish-kryeministrit të Francës, Dominik De Villepin, i akuzuar për sajesa në dëm të Nikolas Sarkozisë në vitin 2007, ndërsa ai ishte në postin e ministrit të kabinetit qeveritar që drejtohej nga De Villepen. Avokatët e mbrojtjes në Paris kanë dhënë argumentet e tyre në seancën e fundit dhe tani pritet marrja e vendimit më 28 janarin e ardhshëm. Vetë ish-kryeministri De Villepen ka mohuar kategorikisht çdolloj përfshirjeje të tij në veprimtaritë për të cilat akuzohet nga Presidenti aktuali i vendit, Sarkozi, duke e cilësuar këtë gjyq një hakmarrje personale të Sarkozisë ndaj tij. Avokatët e Sarkozisë, në fjalën përmbyllëse kanë thënë se pavarësisht se De Villepen ishte i gjatë, elegant dhe arrogant ai do ta humbiste gjyqin. Ndërsa vetë ish-kryeministri i Francës tha se pavarësisht sa kishte ndodhur me këtë çështje që ishte hapur që 4 vjet më parë, ai dhe familja e tij nuk donin të merreshin më me të dhe donin që të ndërronin faqe duke parë në të ardhmen. "Unë dua t‘i them Sarkozisë se dua që t‘u shërbej francezëve edhe në të ardhmen dhe se do të vazhdoj ta bëjë një gjë të tillë", deklaroi De Villepen. Sipas prokurorëve, ish-kryeministri i Francës ishte bashkëpunëtor në një hetim për një çështje korrupsioni që daton vitin 2004, dhe se ky hetim u hap qëllimisht për të dëmtuar dhe nxirë figurën e Nikolas Sarkozisë që kishte shanse për të fituar presidencialet e vitit 2007. Rasti ka të bëjë me falsifikimin e dokumenteve në të cilat Nikolas Sarkozi dukej se ishte bashkëfajtor në një skandal të madh korrupsioni të asaj kohe. Këto materiale të falsifikuara iu çuan gjykatës në mënyrë që kjo të hapte një çështje gjyqësore. Në to thuhej se personat e përfshirë në listë ishin përfshirë edhe në afera për shitjen e armëve dhe kishin marrë për këtë ryshfete. Për sa i përket gjyqit të fundit, ai ka qenë një ndër gjyqet më të rëndësishme në Francë të kohëve të fundit dhe ngjalli një interes të jashtëzakonshëm të opinionit publik. Media franceze e ka cilësuar si "gjyqi i shekullit" dhe seancat e saj janë zhvilluar në sallën e gjykatës ku Mbretëresha Mari Antonetë u dënua të shkonte në gijotinë nga gjykata revolucionare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›