E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Imuniteti, jo strehë për ata që janë nën hetim"

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, deklaroi dy ditë më parë se klasa politike duhet të heqë imunitetin për zyrtarët e lartë. "Shqipëria ka ecur përpara dhe tani duhet të vendosë drejtpeshim midis kësaj mbrojtjeje nga një anë dhe nevojës absolute nga ana tjetër, për të bërë që zyrtarë të lartë të korruptuar apo me përgjegjësi të tjera penale të japin llogari për veprimet e tyre", tha Withers. Disa ditë më parë, sqaroi ai, duke folur përpara Komitetit të Helsinkit në Shtetet e Bashkuara, zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Çështjet Europiane, Stjuart Xhouns, tha si më poshtë: "Ne vazhdojmë ta nxisim qeverinë e Shqipërisë më tej, që të rrisë mbështetjen për institucione të pavarura gjyqësore e të prokurorisë dhe heqjen e imunitetit parlamentar në rastet përkatëse". Ajo çka Xhouns, vijoi Withers, donte të thoshte, ishte që imuniteti nuk duhet të ofrojë strehë për ata që përballen me përgjegjësi penale në gjykata dhe as një shtysë për ata që gjykohen nga gjykatat që të kërkojnë apo të mbajnë poste të larta qeveritare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›